Aktualitet Lejuan zhvillimin e dasmës/ Pezullohen efektivët e Shkodrës që u filmuan duke...

Lejuan zhvillimin e dasmës/ Pezullohen efektivët e Shkodrës që u filmuan duke kërcyer

Katër efektivë policie në Shkodër, të cilët nuk kanë ushtruar kontroll në një lokal dhe kanë lejuar zhvillimin e dasmës janë përballur me pasoja të rënda për ta.

Këta efektivë kishin shkuar që të ushtronin kontroll, duke qenë se në këtë periudhë pandemie nuk lejohen ceremonitë martesore, por në vend që të mbyllnin lokalin ku ishte dasma, ata vetë janë futur të kërcejnë, siç edhe u pa në videon e publikuar një ditë më parë, teksa efektivët rrethonin nusen.

Policia njofton se Specialisti i Policisë Kriminale shtetasi J. R., Inspektori i policisë së zonës N. R., dhe dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme S. K., dhe A. M.) nuk kishin ushtruar kontroll për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe për këtë shkelje të rëndë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra.

Gjithashtu po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas inspektimit të bërë nga grupi i kontrollit i ngritur për këtë qëllim, Drejtoria e Standarteve Profesionale ka filluar ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë për Shefin e Komisariatit të Malësisë së Madhe L. N; Shefin e Rendit S.K; dhe Shefin e Hetimit të Krimit K.C.