Bjellorusia pretendon se nuk ka pasur kërkesë formale nga OSBE-ja për një vizitë të organizatës atje, me qëllim ndërmjetësimin për krizën që ka mbërthyer vendin.
Por në një letër të datës 22 gusht, dërguar presidentit të Bjellorusisë, kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të OSBE-së dhe ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde shkruajnë se si kryetarë të tanishëm dhe të ardhshëm të Zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, janë duke ndjekur nga afër dhe me shqetësim zhvillimet në Bjellorusi.
“Në këtë drejtim, ne do të dëshironim të përsërisim ofertën tonë të Shërbimit për Bjellorusinë, në mënyrë që të dëgjojmë pikëpamjet në lidhje me situatën dhe të kemi një diskutim mbi sfidat aktuale në vend. Bjellorusia është një shtet i çmuar i organizatës sonë dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë për Bjellorusinë”, shkruhet në letër.
Dy ditë më parë, saktësisht më 21 gusht ambasada ruse në Tiranë konfirmoi në mbrëmje telefonatën 30 minutëshe të kryeministrit Rama me ministrin e jashtëm rus Lavrov, sa i takon krizës politike në Bjellorusi. Në një njoftim të saj thuhet se, “më 20 gusht, me iniciativën e palës shqiptare, u zhvillua një bisedë telefonike midis ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të OSBE-së, Edi Rama.
Në njoftim thuhet se, Palët diskutuan mbi situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së për të kontribuuar në zhvillimin e dialogut midis autoriteteve dhe opozitës.
Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe t’u mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë, në mënyrë që të shmanget përvoja e trishtë e “ndërmjetësimit evropian” në Ukrainë në shkurt 2014.
Gjithashtu në njoftim thuhet se, Bashkëbiseduesit rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas, duke përfshirë nevojën për të përgatitur raporte objektive për atë që po ndodh në të dyja anët e linjës së kontaktit në Donbas. Po kështu, ambasada ruse në Tiranë shkruan se palët rikonfirmuan rolin e rëndësishëm të Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin e brendshëm ukrainas.