Kryesore Preveza në kujtimet e Benjamin D’israelit…!

Preveza në kujtimet e Benjamin D’israelit…!

Nga Ervin Fetahu

Ishin vitet 1830-të kur këmbët e atij që më pas do të bëhej kryeministër i Anglisë do të shkelnin në brigjet e Shqipërisë së jugut, dhe siç do të shprehej ai….

“Unë kurrë nuk do të harroj kopshtet e bukura me pemë frutore që mbulonin qytetin, dhe ndjesinë e zërit kumbues e melodioz të muezinit tek na thërriste t’u drejtoheshim shtëpive të Zotit për adhurim, në mes të asaj katrahure gumëzhuese të qytetit…

Pa lënë pas edhe mbresat e një takimi me një nga fisnikët shqiptar Kalo beun, i cili ishte guvernator i qytetit, e sëbashku biseduan gjerë e gjatë, madje beu shqiptar i tregoi për aventurën e tij, se kish qenë i burgosur për një farë kohe në burgjet e Rusisë, por edhe pse i burgosur ai nuk ishte trajtuar keq prej tyre”.

Benjamini e përshkruan atë si një bej shumë të zgjuar, poliglot dhe goxha i paraqitshëm, por mbi të gjitha i ndershëm, e jo naiv.

Disraeli nuk e fshihte hezitimin dhe ndrojtjen karshi atij beu otoman, sepse ishte hera e parë që pritej nga një bej hijerëndë, tek rrinte këmbëkryq në divanin e tij, me një çibuk qelibari në dorë tek nxirrte tymin shtëllunga-shtëllunga.

“Në dhomën e tij kishte njerëz që hynin e dilnin, por më shumë më ranë në sy oficerët e tij shqiptarë, të cilët i qëndronin gatitu me veshje shumë të hijshme e të bukura, me fustanella e xhamadan të kuqërremtë të qëndisura me fije ari e argjendi e me motive të larmishme. Ata mbanin flokë të gjata e kësula të kuqe, në brez mbanin të stolisur gjerdan të mbushur me armë të shumëllojshme, saqë vështirë se gjëje portrete më të bukura se ato diku gjetkë.

Dhe në fund u ndamë me admirim dhe respekt nga ky fisnik që përfaqësonte më së miri aristokracinë vendase, i cili më dha me vehte dy prej rojeve të tij besnik për të më shoqëruar në udhëtimin tim jo pak të rrezikshëm drejt Janinës…”

Shumë prej këtyre mbresave e kujtimeve që kaloi në Shqipërinë e poshtme, Disraeli do t’i shkruante më vonë në librin e tij “THE RISE OF ISKANDER” të cilin e shkruajti dy vjet më pas….!