Rreth 28 trilionë ton akull janë shkrirë nga sipërfaqja e tokës vetëm në 26 vitet e fundit.
Ky është përfundimi i studimit të shkencëtarëve në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët kanë analizuar pamjet satelitore të poleve, maleve dhe akullnajave të planetit për të matur se sa akull ka humbur për shkak të ngrohjes globale, nxitur nga rritja e emetimeve të gazrave serë.
“Në të kaluarën studiuesit kanë studiuar zona individuale – siç është Antarktiku ose Grenlanda – ku akulli po shkrihet me shpejtësi. Por kjo është hera e parë që po studiohet e gjithë sasia e akullit që po zhduket nga i gjithë planeti. Ajo që kemi gjetur na ka habitur,” u shprehën shkencëtarët.
Shkencëtarët e përshkruajnë nivelin e humbjes së akullit si “të pabesueshëm” dhe paralajmërojnë se analiza e tyre tregon se rritja e nivelit të deteve dhe oqeaneve, shkaktuar nga shkrirja e akullnajave dhe fletëve të akullit, mund të arrijë deri në një metër deri në fund të shekullit.
“Për ta thënë më thjesht, çdo centimetër i ngritjes së nivelit të detit do të thotë se rreth një milion njerëz do të duhet të zhvendosen nga vendbanimet e tyre në vende të ulëta”, tha profesori Andy Shepherd, drejtor i Qendrës së Universitetit të Leeds për Vëzhgimin dhe Modelimin Polar.
Shkencëtarët paralajmërojnë gjithashtu se shkrirja e akullit në këto sasi tani po zvogëlon seriozisht aftësinë e planetit për të reflektuar rrezatimin diellor në hapësirë. Akulli i bardhë po zhduket dhe deti i errët ose toka e ekspozuar nën të po thith gjithnjë e më shumë nxehtësi, duke rritur më tej ngrohjen e planetit.
Për më tepër, derdhja e ujit të freskët nga shkrirja e akullnajave dhe pllakave të akullit po shkakton ndërprerje të mëdha në shëndetin biologjik të ujërave të Arktikut dhe Antarktikut, ndërsa humbja e akullnajave në vargmalet malore kërcënon të fshijë burimet e ujit të freskët nga i cili varen shumë komunitete lokale.