Shëndet “1-7% e rasteve në shkallë botërore”/ OBSH: Si dhe kur duhen përdorur...

“1-7% e rasteve në shkallë botërore”/ OBSH: Si dhe kur duhen përdorur maskat nga fëmijët

Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë dhe UNICEF-i rekomandon që përdorimi i maskës nga fëmijët varet nga mosha e tyre dhe situata në të cilën ndodhen.

Fëmijët nën e deri në moshën 5 vjeç nuk duhet të përdorin maska prej pëlhure. Për moshat 6-11 vjeç, vendimi merret duke gjykuar sipas rastit mbi shkallën e rrezikut në kushtet e transmetimit me përhapje të gjerë, duke vlerësuar posaçërisht, si aftësinë që fëmijët ta përdorin maskën siç duhet, ashtu edhe mbikqyrjen e të rriturve.

Për fëmijët mbi 12 vjeç, mbeten në fuqi rregullat që zbatojnë të rriturit, sidomos në zonat ku virusi është shumë i përhapur dhe distancimi fizik nuk mund të arrihet.

Fëmijët që kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese duhet ta përdorin maskën vetëm pasi të këshillohen me mjekun e tyre.

OBSh-ja dhe UNICEF-i e kanë përpunuar këtë udhëzim mbështetur mbi parimin që të “Mos Dëmtojmë Fëmijët”, duke njohur fazat e tyre të zhvillimit, mësimit dhe shoqërizimit.

Sipas të dhënave, fëmijët mund të infektohen me COVID-19 por shumica e këtyre rasteve kalojnë një sëmundje të lehtë.

Të dhënat e mbledhura deri tani tregojnë se transmetimi i virusit që shkakton CODID-19 përmes fëmijëve ndryshon sipas moshës.

Nga të gjitha të dhënat e rasteve të raportuara me COVID-19 nga Shtetet Anëtare të OBSh-së dhe disa studimeve, fëmijët përfaqësojnë 1-7% të rasteve në shkallë botërore.

Maskat janë pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse masash për të frenuar transmetimin e sëmundjes dhe për të shpëtuar jetë. Larja e shpeshtë e duarve, mbulimi i kollitjes apo teshtitjes me këndin e bërrylit të përthyer apo shami letre njëpërdorimshme, ruajtja e distancës prej të paktën 1 metër, mosprekja e fytyrës, si dhe vendosja e maskës kur është e përshtatshme, janë vendimtare për parandalimin e transmetimit, informon zyra e OBSH-së në Tiranë.

Vendimi nëse maskat duhen përdorur nga fëmijët në shkolla, merren nga autoritetet e vendit, të cilët duhet të marrin në konsideratë udhëzimet e OBSh-së dhe UNICEF-it, si dhe udhëzimet për masat e ruajtjes së shëndetit publik në kontekstin e COVID-19 dhe kuadrin rregullator për rihapjen e shkollave.

“Asnjë fëmije nuk duhet t’i mohohet e drejta e arsimit për shkak të vendosjes së maskës (p.sh., në rastet kur fëmija nuk mund ta përdorë maskën) apo për shkak të mungesës së maskës (për arsye të burimeve të kufizuara apo mungesës së tyre)”, shprehet zyra e OBSH-së.