Bota Si do të hapen shkollat në shtetet kryesore të Europës?

Si do të hapen shkollat në shtetet kryesore të Europës?

Në të gjithë Europën, fillimi i vitit të ri shkollor kishte për qëllim të sinjalizonte një kthim në normalitet të arsimit, pas mbylljes së shkollave dhe zhvillimit të mësimit online që prej marsit.

Vende si Danimarka lejuan shkollat ​​të rihapeshin për pjesën e mbetur të sezonit veror pasi kishte kaluar piku i valës së parë të pandemisë, ndërsa vende të tjera nuk lejuan rikthimin e nxënësve në klasa.

Megjithëse mbetet ende për t’u vërtetuar se çfarë roli luajnë shkollat dhe fëmijët në ​​transmetimin e virusit, shumë vende ende nuk e kanë vendosur se si do të zhvillohet viti i ri shkollor.

Gjermania

Viti i ri shkollor fillon në data të ndryshme në 16 shtetet federale të Gjermanisë. Në disa vende veriore, si në Berlin, nxënësit tashmë janë rikthyer; në shtetet jugore klasat rifillojnë në shtator.

Arsimi është një kompetencë rajonale, por Akademia Kombëtare e Shkencave të Natyrës të Gjermanisë ka nxjerrë udhëzime, që përfshijnë mbajtjen e maskave për nxënësit nga 15 vjeç e lart, grupe të vogla mësimi brenda shkollave dhe testime të vazhdueshme.

Spanja

Deri tani nuk ka një datë zyrtare për nisjen e mësimit në Spanjë, një ndër vendet më të prekura nga Covid-19.

Disa rajone kanë lajmëruar se mësimi mund të nisë në 7 shtator.

Rekomandimet e qeverisë përfshijnë distancimin social dhe përdorimin e ambienteve të tilla si biblioteka dhe mensa si klasa për të lejuar më shumë hapësirë për nxënësit.

Qeveria rajonale katalanase po punëson 5000 mësues shtesë për të krijuar “grupe” nxënësish edhe jashtë shkollave në mënyrë që të kufizohet numri i nxënësve brenda shkollave.

Rajoni i Madridit synon të punësojë 600 persona staf ndihmë dhe ka propozuar katër plane veprimi të ndryshme në varësi të ashpërsisë së pandemisë, përfshi pjesëmarrjen e pjesshme të nxënësve në klasa dhe mësimin në distancë.

Italia

Shkollat ​​italiane do të rihapen më 14 shtator pasi kanë qëndruar të mbyllura për gjashtë muaj. Stafi do të duhet të veshë maska, dhe qeveria do të vendosë në javën e fundit të gushtit nëse fëmijët më të rritur se 6 vjeç do të duhet ta bëjnë këtë.

Klasat do të jenë më të vogla për të lejuar distancimin social midis 8 milion nxënësve të vendit – që do të thotë se nevojitet hapësirë ​​për klasa të reja. Por sipas shoqatës së drejtuesve të shkollave, Italisë i mungojnë akoma 20 mijë klasa shtesë për gjithsej 400 mijë nxënës.

Autoritetet lokale janë ngarkuar me gjetjen e këtyre hapësirave duke menduar dhe në mënyrë kreative për të modifikuar hapësira të caktuara në klasa.

Danimarka

Shkollat në Danimarkë u rihapën në 10 gusht, pas rënies së numrave të të infektuarve ditorë me koronavirus.

Fëmijët mësonin në grupe më të vogla 10-12 nxënës dhe kjo kërkoi punësimin e mësuesve të rinj dhe stafit ndihmës shtesë.  Nxënësit uleshin 2 metra larg nga njëri tjetri në klasë dhe lanin duart në çdo orë e gjysmë.

Fëmijëve dhe mësuesve nuk u kërkohej të mbanin maska ​​- dhe Danimarka nuk ka parë një rritje të infeksioneve pasi rihapen shkollat.

Franca

Shkollat ​​franceze do të rihapen më 1 shtator, përveç në zonat e deklaruara si “zona aktive të qarkullimit të virusit” si Parisi ose rajoni i Marsejës, ku shkollat ​​mund të mbeten të mbyllura.

Nxënësit nuk kanë nevojë për distancë sociale në zonat ku mbajtja e distancës është e pamundur, brenda ose jashtë. Sidoqoftë, nxënësit më të mëdhenj se 11 vjeç do të duhet të mbajnë maska ​​brenda dhe jashtë nëse një distancë minimale prej 1 metër nuk mund të garantohet.

Shkollat ​​do të duhet të sigurojnë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse ​​për stafin e tyre.

Belgjika

Shkollat ​​belge do rihapen më 1 shtator, pavarësisht rritjes së infeksioneve gjatë verës. Nëse situata epidemiologjike do përkeqësohet në një zonë të caktuar, nxënësit e shkollave të mesme do të ndjekin shkollën në grupe alternative. Mund të bëhen dhe ndryshime të tjera në varësi të pandemisë.

Studimi amerikan: 82% e prindërve nuk do të dërgojnë fëmijët në shkollë

Nga ana tjetër, një studim i ri në SHBA tregon se 82 përqind e prindërve janë të frikësuar për të dërguar fëmijët e tyre në shkolla.

Të dhënat e studimit, ku morën pjesë 2 000 prindër me qëllim për të parë se si familjet po përshtaten ndaj një normaliteti të krijuar nga Covid-19, tregojnë se një e katërta e tyre  nuk do të dërgojë fëmijët në shkollë, ndërsa, katër në pesë prindër po mendojnë t’i shkollojnë fëmijët në shtëpi.

Shëndeti është shqetësimi kryesor për pjesën më të madhe të prindërve. 82 përqind e prindërve shprehen se rreziku për tu infektuar është arsyeja kryesore për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi. Prindërit janë të shqetësuar se kur fëmijët të kthehen në shkollë nuk do të zbatojnë dot higjienën.

Rreth 60 përqind e prindërve mendojnë se fëmijët nuk do të lajnë në mënyrën e duhur duart, pavarësisht përpjekjeve të tyre për t’i mësuar rregullat e higjienës gjatë pandemisë.

Arsyeja e dytë është kosto e lartë për blerjen e mjeteve shtesë për të dërguar fëmijët në shkollë. 3 nga 4 pjesëmarrësit në vrojtim u shprehën se presin të paguajnë 147 dollarë më shumë për të blerë pajisjet për të luftuar Covid-19, të kërkuara nga shkollat.

Gjithashtu, shqetësim për ta është edhe rritja e kohës për t’i bërë gati fëmijët në mëngjes. Sipas të dhënave 70 përqind shprehen se do t’i duhet edhe 40 minuta më shumë për t’i bërë gati çdo mëngjes.

77 përqind e prindërve shprehen se nuk janë gati për nisjen e vitit të ri shkollor. Ata kanë shumë kërkesa ndaj zyrtarëve të arsimit për tu ndjerë të sigurt.

55 përqind e prindërve kërkojnë që shkolla të masë temperaturën çdo ditë, numër më të vogël nxënësish për klasë, ndërsa katër në 10 prindër duan të përdorin tekste shkollore digjitale.