Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), ka publikuar udhëzuesin e plotë për fillimin e vitit të ri shkollor, ku janë zbardhur me detaje skenarët se si mund të zhvillohet mësimi si edhe elemente të tjerë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit në secilin rast.
Ekzistojnë tre skenarë të mundshëm që ka gjasa të vihen në zbatim gjatë këtij viti të ri shkollor, në varësi të situatës nga COVID-19.
Skenari 1: Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik.
Skenari 2: Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë), duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë.
Skenari 3: Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, në rast se situata e COVID-19 përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, në nivel lokal ose në nivel shkolle.
Në udhëzues sqarohen me detaje mënyra e zhvillimit të mësimit për secilin nga skenarët, që nga kohëzgjatja e orës mësimore e deri tek mënyra e vlerësimit të nxënësve.
Kështu në rastin kur mësimi do të zhvillohet në klasa fizike, bëhet me dije se për klasat me jo më shumë se 20 nxënës dhe ku mund të plotësohet ruajtja e distancimit fizik dhe e rregullave të higjienës mësimi do të zhvillohet 45 minuta. Ndërkohë, në rastet ku numri i nxënësve mësimi do të ndahet me dy grupe.
“Grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-11.15; grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.45-15.00.
Ora e mësimit do të jetë 30 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi, është shtesë me afërsi 7 orë mësimi në javë, të cilat mund të paguhen si orë suplementare ose orët mësimore shtesë mund të realizohen me mësues shtesë”, sqarohet në udhëzuesin e ministrisë së Arsimit.
Në rast se nuk mund të ruhet distanca mes nxënësve edhe pas ndarjes së tyre në 2 turne, atëherë shkolla do të jetë e hapur edhe gjatë pasdites. Nxënësit do të zhvillojnë mësimin me 4 nënturne, pra me dy nënturne brenda një turni. Mësimi do të nisë në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:54 të mbrëmjes.
Mësimi, në rast se zbatohet skenari i dytë, pra i kombinuar do të zhvillohet në varësi të numrit të nxënësve në klasa dhe ora mësimore do të zgjasë 30 minuta.
“Shkollat me një turn dhe me numër të madh nxënësish, të cilat në mënyrën normale të funksionimit të tyre nuk plotësojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale për higjienën dhe për distancimin fizik. Në këtë rast këto shkolla:
ndërtojnë një grafik për hyrjen dhe për daljen e nxënësve që të shmanget grumbullimi i tyre, pa prekur orën e fillimit dhe të mbarimit të shkollës;
– ndajnë çdo klasë në dy grupe:
Java tek:
– grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-11.15 (në mjediset fizike të shkollës);
– grupi e dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 12.30-15.45 (online);
Java çift:
– grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-11.15 (në mjediset fizike të shkollës);
– grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 12.30-15.45 (online)”, sqaron udhëzuesi.
Në rast të zbatimit të skenarit të katërt, pra vetëm online, ora mësimore do të zgjasë 25 minuta dhe nuk do të ketë vlerësim me notë për nxënësit.