Radhën për t’u pikturuar nga peneli i Edi Ramës, jo me bojra por me fjalë, e ka patur Behxhet Pacolli, një figurë mes biznesit dhe politikës, së fundit aspirant për president i Kosovës, pasi e ka shijuar këtë post të lartë pak vite më parë, por vetëm për disa javë.
Si gjithnjë në raste të tilla, Rama ka shfrytëzuar ditëlindjen për të realizuar portretin dikujt, në këtë rast të figurave publike me peshë, në jetë ose jo, një risi kjo e nisur nga shefi i qeverisë shqiptare para disa muajsh.
Edhe pse mendohet të ketë gabuar në ditën e lindjes, pasi nga këshilltari i Pacollit është njoftuar se ajo është të dielën, Rama gjithsesi e ka lënë “veprën” e vet për mikun kosovar.
Nga Edi Rama
BEHGJET PACOLLI bën sot plot 69 vite të jetuara në një fluturim të vazhdueshëm, qëkur u dha krahëve e u shkëput nga “pista” e oborrit të shtëpisë së tij shumë të varfër të lindjes, në fshatin Marec, për të vijuar të fluturojë nëpër një hartë koordinatash gjithnjë e më të çuditshme… nga Luganoja e pasanikëve të mbrojtur prej sekretit të vjetër bankar zviceran, në Moskën e klientëve pasanikë të pushtetit të dalë nga gryka e tankut mbi parlamentin e sovjetëve; nga zyra e Jelsinit në zyrën e Sllobos e nga Kremlini për firmosjen e kontratës së restaurimit, në Prishtinë për vendosjen e firmës mbi dokumentin e pavarësisë së Kosovës; nga Astanaja e kantiereve guliveriane të Sulltan Nazarbajevit, në Shën Tropenë e pushimeve luksoze të Brizhidë Bardosë e të qenve të saj të dashur; gjithnjë me ca ndalesa të befta e gjithnjë më të shpeshta në Shqipëri, nga koha kur këtu hante pula gurë e Bexheti donte t’i vinte Hotel “Dajtit” 5 yje në ballë, në kohën kur guri këtu hante pulat dhe Bexhetit ia morën Hotel “Dajtin” në mëngjes, pasi ia dhanë në darkë… e kështu deri sot e gjithë ditën, ai ndalet në Shqipëri, sa herë i duhet të prekë tokën e të shohë detin.
Luli i Vocërr i Marecit u bë bosi i madh i Mabeteksit, falë një fuqie për të ëndërruar, një kurajoje për të guxuar e një aftësie për të fluturuar, që e bëjnë Bexhet Pacollin një fenomen unikal suksesi të llojit të vet në botën shqiptare. The sky is the limit, qielli është kufiri, do të ishte përkufizimi më i sigurtë për jetën e tij, që edhe do ta shpëtonte këdo që do të rrekej t’ia kornizonte historinë, qoftë nga detyrimi i pamundur për t’ia rrokur atë krejt dhe qoftë nga pamundësia për të mos gabuar në leximin e këtij personazhi sa tokësor e të vërtetë, po aq ajror e romanesk.
Çfarë historie fluturimi i tij nga krahët e vdekjes në morgun e akullt, ku e futën si trup të pajetë pas aksidentit të tmerrshëm apo rënia e tij pikiatë në dashurinë e llahtarisur me Anën dhe ringritja në fluturim për të ikur prej saj!
Çfarë historie ngjitja e tij në Presidencën e Republikës së Kosovës dhe rënia prej asaj maje sa hap e mbyll sytë!
Çfarë historie rishfaqja i tij në Marecin e braktisur nga të gjithë, për të ndërtuar shtëpitë e mëdha për krejt vëllazërinë dhe shpërngulja e kompanisë së tij në Kazakistan, për të ndërtuar një kryeqytet nga e para!
Nuk e di ç’do të kisha menduar për Bexhetin sikur të mos e kisha pasur fatin ta njoh, po me siguri do kisha gabuar, keq, siç gabojnë me sa kam parë ata që kujtojnë se ai është një pasanik si ca të tjerë, që mund të kyçet kollaj në kornizën klishe të biznesmenit politikan. Pa lidhje!
Bexhet Pacolli është një njeri shumë special dhe të gjitha ato që i kanë ndodhur, megjithë pasurinë e tij, janë si shtëpia e tij mbresëlënëse në Hajvali, me faltoren e bukur të nënës së vdekur ngjitur me banesën ku mungon ai vetë, Bexheti, djali harrakat që s’është në shtëpi po gjetkë, në një fluturim që vazhdon. Sepse as pasqyra e tij më besnike dhe as vlera e vet më e madhe s’është as ajo që ka, as ajo që bën, po është ai vetë, si njeri, të cilit ia uroj megjithë zemër të rrojë sa më gjatë, për veten, familjen, fëmijët e mrekullueshëm, e për këdo ka fatin ta njohë siç është, boll që të mos synojë ta kornizojë.