Shëndet Doktorët francezë këshillojnë mbajtjen e maskave në shkollë për fëmijët 6-vjeçarë

Doktorët francezë këshillojnë mbajtjen e maskave në shkollë për fëmijët 6-vjeçarë

Doktorët francezë thonë se të gjithë fëmijët, duke filluar që nga mosha 6-vjeçare, duhet të mbajnë maska kur të rikthehen në shkollë, ndërsa Franca përgatitet për rihapjen e tyre të martën.

Deri më tani, fëmijët 11 vjeç e sipër janë të detyruar të mbajnë maska dhe të ndjekin rregullat e distancimit shoqëror, por shkollat në Francë do të hapen si normalisht, në krahasim me vende si Danimarka dhe SHBA, ku numri i nxënësve në klasë është reduktuar, ndërsa numri i mësuesve pritet të jetë më i lartë.

Një mësuese në Francë tha se fëmijët e moshave 3 deri në 11 vjeç nuk janë të detyruar të ndjekin rregullat e distancimit shoqëror gjatë këtij viti shkollor.

“Në momentin që do të jenë në kontakt me njëri-tjetrin, ne do të përpiqemi, por të mos gënjejmë veten. Duhet të jemi të vetëdijshëm se në një klasë me 25 nxënës, është e vështirë që të kontrollosh secilin prej tyre”, tha mësuesja Cecile Cluchier.

Megjithatë jo të gjithë shkollat në Francë do të rihapen si normalisht. Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer tha se disa shkolla do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura, pasi nuk janë të përgatitura për të vijuar mësimin.