Kryesore Ambasadorja e Gjermanisë: Vetting-u, një sukses, të plotësohen vendet vakante

Ambasadorja e Gjermanisë: Vetting-u, një sukses, të plotësohen vendet vakante

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz bëri thirrje për krijim të shpejtë të institucioneve të reja të drejtësisë dhe rikthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.

Në një mesazh të shpërndarë nga Ambasada e Gjermanisë, Schütz pasi e cilësoi procesin e Vetting-ut një sukses dhe premtoi mbështetje të Gjermanisë tha se ishte e rëndësishme të krijoheshin institucionet e reja.

Prandaj është e rëndësishme të krijohen këshillat e lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejtë të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore”,thuhet në mesazhin e ambasadores.

Schütz vuri në dukje se Gjermania do të mbështesë “Shkollën e Magjistraturës në zgjerimin e kapaciteteve të saj arsimuese dhe kualifikuese”.

Schütz e konsideroi procesin deri tani një sukses, ndërsa u shpreh se ai mbështetje prej vitesh nga Gjermania.

“Mekanizmi për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një kolonë mbështetëse e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e cila po mbështetet prej vitesh nga Gjermania. Unë e përshëndes faktin që procesi i Vetting-ut i nisur në muajin mars ka përparuar mirë”, theksohet në mesazhin e ambasadores.

Ambasadorja gjermane thekson më tej se vijimi i procesit “me standarde të njëjta do të ndihmojë në forcimin afatgjatë të shtetit ligjor dhe të besimit të shqiptarëve në sistemin e drejtësisë”.

Gjermania është një nga mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi, e cila është një nga kushtet për avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.