Aktualitet Plagosi infermieren greke, flet gruaja e 59-vjeçarit shqiptar: Ju tregoj përse ndodhi...

Plagosi infermieren greke, flet gruaja e 59-vjeçarit shqiptar: Ju tregoj përse ndodhi ngjarja

Gruaja e 59-vjeçarit shqiptar që plagosi infermieren greke në Athinë një ditë më parë dhe më pas u vetëvra, ka folur për shtypin grek duke arsyetuar veprimin e burrit të saj.

Sipas bashkëshortes së shqiptarit, burri i saj mendonte se ishte operuar gabim dhe ishte revoltuar me stafin e spitalit.

59-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri Marsin e kaluar dhe më 19 Gusht të këtij viti iu nënshtrua një operacioni.

Duke folur për të përditshmen “Kathimerini”, gruaja e 59-vjeçarit ka sqaruar se burri i saj nuk vuante nga probleme të shëndetit mendor, sikurse dyshoi policia greke. Por ditët e fundit ai mendonte se i ishte nënshtruar padrejtësisht operacionit.

Një ditë më parë, shqiptari thërriti për ndihmë infermieren dhe po e priste pas dere. Sapo ajo hyri në dhomë, shqiptari e goditi me thikë dhe me grushte. Më pas u ngjit në katin e pestë të spitalit dhe u hodh duke u vetëvrarë. Ndërsa infermierja 32-vjeçare ka mbetur e plagosur me dëmtime të rënda, por jo në rrezik për jetën.