Greqia dhe Turqia nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë hap pas në të mirë të uljes së tensioneve, për shkak të mosmarrëveshjeve për zonat ekskluzive ekonomie që po i çojnë dy vendet drejt një konflikti të pashmangshëm ushtarak.
Ankaraja zgjati me 11 ditë misionin e anijes sondë “Oruç Reis” që kryen kërkime për gaz në nëntokën e Mesdheut Lindor. Misioni i saj parashikohej të përfundonte këtë të martë.
Greqia pretendon se anija turke kryen kërkime të paligjshme për gaz në zonën e saj ekskluzive ekonomike të Mesdheut Lindor. Ndërsa Turqia thotë se hapësira ku kryen kërkimet i përket këtij vendi.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shprehu vendosmërinë për të vijuar kërkimet, teksa i quajti pirate anijet ushtarake të dërguara nga Greqia për të penguar aktivitetet e Turqisë.
“Ne nuk i hamë hakun askujt, por nuk lejojmë të na e hanë hakun. Do ta mbrojmë të drejtën tonë dhe turqve të Qipros deri në fund”.
Deklarata e Erdoganit erdhi pasi Greqia dërgoi ushtarë në ishullin Kastelorizo që ndodhet gati 2 kilometra larg brigjeve turke. Ankaraja tha se me këtë veprim, Athina shkeli marrëveshjet e nënshkruara që në Traktatin e Parisit në 1947, kur ishulli u shpall i demilitarizuar.
Bashkimi Europian ka bërë thirrje për dialog, por duket se qëndron në anën e Greqisë. Mediat greke shkruajnë se nga Franca është nisur aeroplanmbajtësja “Sharl De Gol”, e konsideruar si krenaria e forcave detare të këtij vendi, në ndihmë të Greqisë në rast përshkallëzimi të situatës. Ndërsa në Turqi diskutohet edhe dalja nga NATO në rast se nuk gjendet një zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor.