Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka konfirmuar se së shpejti do të fillojnë negociatat me Shqipërinë për kufirin detar, në një intervistë për median greke Real News.
Dendias thotë se dialogu me Shqipërinë do të nisë së shpejti, dhe do të ketë marrëveshje edhe me Shqipërinë, ashtu si me Egjiptin dhe Italinë.
“Greqia ka dëshmuar se promovon dialog me të gjithë fqinjët e saj pa përjashtim. Përmes dialogut të sinqertë kemi arritur marrëveshjet me Egjiptin dhe Italinë dhe përmes dialogut kemi arritur nënshkrimin e marrëveshjes së mbrojtjes me SHBA. Përmes dialogut, i cili do të fillojë së shpejti, ne do të arrijmë një marrëveshje edhe me Shqipërinë”, iu përgjigj Dendias pyetjes se gazetarit për zgjerim me 12 milje në detin Jon.
Pyetjes nëse Greqia do të firmoste një marrëveshje me Shqipërinë, ministri ju përgjigj indirekt se Greqia do ta arrijë qëllimin për marrjen e 12 miljeve detare: “Diplomacia greke ka treguar se i arrin qëllimet e saj. Qëllimi është të arrijmë delimitimin, në varësi të ligjeve detare ndërkombëtare. Por duhet të planifikojmë me kujdes dhe ta zbatojmë me përpikmëri”.