Aktualitet Ulen rastet e reja, por shënohen 6 viktima nga Covid

Ulen rastet e reja, por shënohen 6 viktima nga Covid

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shëruar një numër rekord personash.

“Janë 227 qytetarë që e kanë fituar betejën më sëmundjen në 24 orët e fundit, duke e çuar në 5441 të shëruar që nga fillimi i epidemisë”, deklaroi Dr. Flutura Beqo.

Gjithashtu është ulur numri i rasteve të reja. 93 persona janë konfirmuar pozitivë gjatë orëve të fundit.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 42 raste në Tiranë, 7 në Fier, 6 në Lushnje, 5 në Malësi e Madhe, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Korçë, Mirditë, 3 në Kavajë, nga 2 raste në Elbasan, Has, Vlorë, Librazhd, Gjirokastër, nga 1 rast në Devoll, Kamëz, Mat, Përmet”.

Fatkeqësisht 6 qytetarë kanë humbur betejën me sëmundjen e rëndë.

“Nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 63 vjeçar nga Lezha, një 67-vjeçare dhe një 70-vjeçare nga Tirana, një 70-vjeçar nga Librazhdi, një 72-vjeçar nga Kukësi dhe një 88-vjeçar nga Dibra. I shprehim ngushëllimet familjarëve”.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 182 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.

“23 janë në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar”.

Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 41 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.