Ekonomi Amnistia për makinat, afati i fundit 31 dhjetori

Amnistia për makinat, afati i fundit 31 dhjetori

Drejtoria e Shërbimet të Transportit Rrugor ka njoftuar të gjithë personat të cilët kanë detyrime të pashlyera për automjetet e tyre, se afati i fundit për shlyerjen e tyre është 31 dhjetori i këtij viti. Në rast të kundërt asnjë drejtues mjeti nuk do të mund të përfitojë më nga amnistia.

Në njoftimin e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor bëhet e ditur: “Zbatimi i ligjit “Për pagesën dhe fshirjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”, ka hyrë në një fazë të rëndësishme”.

Gjithashtu me anë të këtij njoftimi bëhet e ditur: “Subjektet/personat përgjegjës të paraqiten pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor për të kryer pa pagesë, veprimet e heqjes nga qarkullimi të mjetit apo për të kërkuar moskryerjen e procedurës së heqjes nga qarkullimi dhe mbajtjen aktiv të tij”.

Ndërkohë që për fshirjen e detyrimeve DPSHTRR ka bërë të ditur se, subjektet që duan të mbajnë mjetin në qarkullim u fshihen detyrimet tatimore për periudhat dhjetor 2010 e më parë, me kusht që të paguajnë detyrimet për periudhën janar 2011 e në vijim, me përjashtim të gjobave për mospagesë së taksave të periudhës janar 2011 deri në dhjetor 2014, të cilat fshihen me kushtin e pagesës së të gjitha detyrimeve të plota.