Një episod tashmë i “varrosur”, plaga nuk ka pse gërvishtet nëse Luis Suarez mbërrin te Juventusi. Giorgio Chiellini shikon përpara, i gatshëm për ta mirëpritur sulmuesin uruguaian. Siç raportohet nga “Tuttosport”, mbrojtësi veteran bardhezi ka kohë që i ka lënë mënjanë fërkimet që ndodhën në Kupën e Botës 2014 me sulmuesin në fjalë, i cili e kafshoi Chiellini-n në shpatull gjatë ndeshjes midis Italisë dhe Uruguait.
Midis të dyve, paqja është vendosur tashmë, qysh në kryqëzimin midis Juventusit dhe Barcelonës, tri vite më parë, e cila do të çimentohej nga mbërritja përfundimtare në Torino e numrit 9 amerikano-jugor. Madje në autobiografinë e tij, Chiellini e ka vlerësuar jashtë mase Suarez-in.
Juventusi po rrit presionin ndaj Suarez, i zgjedhur si qendra e ardhshme e sulmit bardhezi, për t’i dhënë Pirlos mundësinë e dominimit në Itali dhe nisjes së një tjetër sulmi për Champions. Chiellini e miraton këtë pistë të merkatos.