Shqipëria do të lejojë ndërtimin e një hidrocentrali në territorin e saj, i cili do të prodhojë energji për Kosovën.
Hidrocentrali synon të rritë sigurinë energjetike në Kosovë, e cila 90% të burimeve të energjisë i ka nga qymyri, ndërsa 90% e prodhimit të energjisë në vendin tonë është nga uji.
Burime zyrtare për televizionin Klan thanë se projekti i ndërtimit të një hidrocentrali për vendin fqinj do të zyrtarizohet gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në mes të këtij muaji.
Mbledhja në qytetin e Shkodrës së kabinetit Rama – Hoti do t’i hapë rrugë po ashtu edhe firmosjes së marrëveshjes për nisjen e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e një linje hekurudhore Tiranë – Prishtinë.
Ky projekt vjen disa muaj pasi pala kosovare ka firmosur një marrëveshje të ngjashme për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Beograd.
Një pikë tjetër diskutimesh do të jetë edhe funksionimi i pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Aktualisht Prishtina zyrtare nuk ka miratuar vendimin për të autorizuar zhdoganimin e mallrave në Shqipëri, por kamionët duhet të udhëtojnë përmes një sistemi tranzit dhe të zhdoganohen në Kosovë.
Pjesë e marrëveshjeve që do të firmosen janë edhe njohja e përbashkët e çertifikatave të produkteve bujqësore, diplomave dhe lejeve të punës./Tv Klan