Disa klinika veterinere në Finlandë do të financojnë projektin për stërvitjen e 16 qenëve, të cilët do të nuhasin dhe zbulojnë të gjithë pasagjerët që janë me koronavirus, të cilët mbërrijnë në aeroportin e Helsinkit. Kafshët do të nisin të operojnë pas 2-3 javësh për një periudhë prove dhe nëse projekti do të ketë sukses, atëherë do të rritet numri i qenëve që do të stërviten.
Qentë nuhasin djersën dhe kjo i lejon të kuptojnë nëse pasagjeri që udhëton me avion është pozitiv me Covid-19 apo jo. Gjithsesi, Finlanda nuk është vendi i parë që e nis këtë eksperiment, pasi në Dubai kjo gjë po eksperimentohet që nga muaji gusht. Sipas rezultateve të para, qentë kanë zbuluar personat me koronavirus në 94.5% të rasteve.
“Miku më i mirë i njeriut” është në gjendje të kuptojë personin e infektuar me Covid-19 dhe ta zbulojë atë, pasi virusi arrin të modifikojë djersën e tij. Në Finlandë, qentë që do të stërviten do të nuhasin kampionë të djersën së personave me koronavirus, pa qenë në kontakt me vetë personat pozitivë.