Kosova Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, Hoti: Jemi një hap më afër...

Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, Hoti: Jemi një hap më afër përmbylljes së marrëveshjes

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se nesër, më 4 Shtator pritet të prezantohet marrëveshja për temat ekonomike, që delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë diskutoi sot në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se këto bisedime paraqesin një hap drejt marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nesër presim që ta finalizojmë të gjithë këtë angazhim që kemi pasur tash e sa kohë dhe diskutimet që patëm sot”, tha kryeministri Hoti.

“Kemi bërë një hap të madh drejt përmbylljes së marrëveshjes finale”, shtoi ai.

Hoti tha se në bisedimet që janë zhvilluar sot në Uashington është bërë përparim ekonomik.

“Unë një gjë mund të ju them, marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të papranueshme për Kosovën, asnjëherë nuk kanë ardhur dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. E kemi bërë një progres të madh në çuarjen përpara të bashkëpunimit ekonomik dhe jemi një hap më afër përmbylljes së çështjes”, tha ai./REL