Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka shkuar sot në Presidencë për t’u konsultuar me presidentin Ilir Meta për datën e zgjedhjeve.
Ajo ishte e shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Endrit Braimllari.
Kryetarja e LSI-së, e cila është njëkohësisht bashkëshortja e Metës, që kur ai u bë President nuk kishte shkuar asnjëherë personalisht në këtë institucion. Gjithmonë kishte dërguar si përfaqësues, numrin dy të LSI-së, Petrit Vasilin.
Në dalje nga takimi me kreun e shtetit Ilir Meta, Kryemadhi theksoi se vendit i duhet një “përmbysje e një sistemi të kalbur”.
“Ia bëmë të qartë Presidentit që LSI do zbatojë çdo vendim e dekret të presidentit që është kushtetues e do marrë pjesë në çdo proces zgjedhor ku i cili do i garantojë shqiptarëve qeverisjen e ardhshme evropiane për të cilën kanë aspiruar prej kohësh. S’ka gjë më të rëndësishme sa ti japësh shqiptareve një datë që po e presin prej kohësh. Zgjedhjet duheshin bërë 2 vjet më parë, por çdo detaj i vogël që mund të thotë ç’bëri e sotmja e ç’bëri e nesërmja është të tallesh me çështjet e shqiptarëve”, tha kryetarja e LSI pas takimit.
“Sa më shumë të zgjasë këshilli politik, diskutimet për kodin zgjedhor, teknikalitetet e aq më jetëgjatë do të jenë politikanët në televizionet dhe asnjë nuk do ta flasë për punësim, sa më shpejt zgjedhjet, aq më mirë për të gjithë.
Na duhet përmbysje e një sistemi të kalbur dhe një sistem i ri, garancia më e madh është fuqia që kanë shqiptarët për të ndryshuar, nuk ka garanci më të madhe se përkrahja e qytetarëve. E vetmja garanci është zemra e çdo politikani e deputeti për tu përballur me krimin”, tha Kryemadhi.