Diarreja dhe të vjellat mund të jenë shenja të rëndësishme të infektimit me Covid-19 tek fëmijët.
Ky është rezultati i një studimi që mund të përditësojë numrin e simptomave në listën zyrtare të koronavirusit.
Lista që përfshin simptomat e Covidit tek fëmijët, përfshin vetëm tre: temperaturë të lartë, kollë dhe humbje të nuhatjes dhe shijes. Simptoma e fundit u shtua në listë majin e kaluar.
Ndërsa, studimet e fundit të realizuara tek të rriturit kanë zbuluar dhimbje muskujsh, lodhje, konfuzion, dhimbje gjoksi dhe shqetësime në stomak. Mes këtyre simptomave, një studim nga King’s Collage në Londër zbuloi se simptomat që ndodhin tek të rriturit ndahen në gjashtë grupe kryesore, njëra prej të cilave lidhet me problemet gastrointestinale.
Studimi i ri i kryer nga studiuesit në Universitetin e Queen’s në Belfast, duket se konfirmon se dhimbja e stomakut është një simptomë e Covid-19 tek fëmijët.
“Në grupin tonë, diarreja dhe të vjellat ishin më parashikuese se kolla apo edhe ndryshimet në nuhatje dhe shije”, shpjegoi Dr.Tom Waterfield, kryetari i grupit të studimit.
“Nëse duam të diagnostikojmë infeksionin tek fëmijët, duhet të fillojmë të shikojmë simptoma të tilla si diarre dhe të vjella dhe jo vetëm ato që lidhen me traktin respirator”.
Studimi u zhvillua mes datave 6 prill dhe 3 korrik, i cili përfshiu më shumë se 990 fëmijë të moshës nga 2 deri në 15 vjeç në të gjithë Britaninë e Madhe.
Asnjëri prej tyre nuk ishte shtruar në spital për Covid-19.
Mësohet se një mostër gjaku u mor nga fëmijët, u testua për antitrupa ndaj koronavirusit dhe gjithashtu u mblodhën të dhëna për shfaqjen e simptomave.
Studiuesit zbuluan se 68 fëmijë, rreth 6.9 për qind e numrit të përgjithshëm, kishin zhvilluar antitrupa ndaj infeksionit dhe për këtë arsye ata ishin infektuar me Covid-19.
Gjysma e këtyre raportuan se kishin simptoma. Disa nga simptomat ishin të zakonshme, ndërsa 31 për qind e këtyre 68 fëmijëve raportuan temperaturë, 18 për qind raportuan dhimbje koke dhe 19 për qind raportuan simptoma gastrointestinale si diarre, të vjella dhe dhimbje barku.
“Shumë fëmijë mund të kalojnë një ftohje të lehtë këtë dimër, por tani do ta dimë se ky fakt nuk mund të interpretohet si një simptomë e Covid”, shpjegoi Dr.Waterfield.
Profesori Tim Spector, nga King’s College në Londër, thotë se gjetjet e studimit janë në përputhje me kërkimet e ekipit të tij.
“Të dhënat tona për gati 250 mijë fëmijë në aplikacionin Studimi i Simptomave Covid, tregon se fëmijët që rezultojnë pozitiv kanë një gamë të gjerë simptomash dhe se kolla nuk është aq e zakonshme tek fëmijët se sa te të rriturit”, shpjegoi ai.