Kandidati i demokratëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, Joe Biden, i cili ka qenë zv/president i SHBA gjatë kohës që vendi drejtohej nga Barak Obama, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e sotme të Kosovës.
Për Biden, Kosova duhet të jetë një vend i pavarur, dhe jo të konsiderohet si pjesë e Serbisë.
“Nuk e di se cila është marrëveshja. Ajo që kam argumentuar në lidhje me Serbinë dhe Kosovën, është që Kosova duhet të jetë vend i pavarur, jo pjesë e Serbisë. Kam kaluar shumë kohë atje. Po hamendësoj se kjo do ta forcojë pavarësinë, por nuk e di se si do ta bëjë, bazuar me çfarë është thënë”, tha Biden.
Kosova nënshkroi sot një marrëveshje ekonomike me Serbinë, në Shtëpinë e Bardhë, nën vëzhgimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Përveç investimeve që pritet të vijnë në bazë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka rënë dakord që të ndërtojë hekurudha dhe autostradat që do ta lidhin Prishtinën me Beogradin e Nishin, si dhe për shumë fusha të tjera ekonomike.
Sado që marrëveshja është mirëpritur nga shumica e politikanëve shqiptarë, kryeministri Hoti është kritikuar nga opozitarët kosovarë për faktin që marrëveshja nuk përfshin njohjen nga Serbia, si dhe që lejon studim të përbashkët me Serbinë për burimet energjike të liqenit të Ujmanit.