I detyruar të qëndrojë në Barcelonë kundër dëshirës, Messi ka përpara 10 muaj zjarri mes presionit dhe rreziqeve të panjohura. Nga humori i tifozëve dhe frakturës me drejtuesit, e deri tek ekuilibrat delikatë në dhomat e zhveshjes që rrezikon të kthehet në një bombë me sahat.
Adriano Seu – Gazzetta dello Sport
Populli blaugrana ka marrë frymë. Messi vendosi të qëndrojë në Katalunjë dhe Barcelona evitoi një lamtumirë traumatike të yllit të saj. Por tani çfarë do të ndodhë në rrethinat e Camp Nou? Çfarë sezoni do të jetë ky që vjen, të cilin Messi e nis ndoshta si një i divorcuar i detyruar të qëndrojë në shtëpi? Pavarësisht se argjentinasi siguroi se do të japë gjithmonë maksimumin dhe do të bëjë gjithçka për të sjellë të tjerë tituj në palmaresin blaugrana, në emër të ambicieve personale dhe të afeksionit për fanellën, tani hapet një skenar plot të panjohura me të cilin Messi dhe universi blaugrana janë të detyruar të bashkëjetojnë në 10 muajt e ardhshëm.
Edhe pse ritheksoi dashurinë për Barcën, mbetet fakt që Messi kishte vendosur të largohej. Lufta e nervave me drejtuesit në tentativën për të fituar lirinë do të lënë shenjë, me rrezikun për të ushqyer spekullime në të parën paraqitje nën tonus, apo pas ndonjë rezultati zhgënjyes. Argjentinasi mund ta ndiejë veten nën provë në të parën ndeshje jo, ose në gabimin me të vogël, situatë që deri më tani nuk e ka përjetuar kurrë. Nëse deri dje përfaqësonte farin, apo spirancën e shpëtimit në çdo moment vështirësie, ylli argjentinas papritmas mund të përfundojë në shënjestër. Të ndërgjegjshëm për faktin që Messi qëndroi pa dëshirën e tij, shtypi dhe tifozët mund ta sulmojnë. Për të mos folur për një kastë drejtuese, me në krye Presidentin Bartomeu, tanimë armik i përbetuar i Messit, të cilit mund ti vijë mbarë ta përdorë humorin e keq të krijuar rreth lojtarit për të mbuluar apo maskuar fajet e tij.
Është e lehtë të kuptohet se Messi do të gjendet në një fushë të minuar, rrezikon të përjetojë një ambient armiqësor deri në dhomat e zhveshjes, ku deri dje ishte mbret i padiskutueshëm. Gjatë komunikimit të vendimit për të qëndruar, Messi foli edhe për miq të rremë, duke krijuar dyshimin se diçka është thyer edhe në raportin me ndonjë shok të skuadrës. Në këtë drejtim, nuk duhet nënvlerësuar edhe heshtja shurdhuese me të cilën dhomat e zhveshjes përjetuan luftën tërhiq e mos këput në 10 ditët e fundit. Asnjë mesazh mbështetjeje për argjentinasin, të vetmit që lanë të kuptohet se ishin në krahun e tij, ishin Suarez, me të cilin është takuar gjatë kësaj kohe pothuajse përditë, dhe Vidal. Spikat në krahun tjetër, heshtja e senatorëve si Pique e Ter Stegen, ndërsa Rakitic lëshoi shigjeta në prezantimin te Sevilja, duke lënë të kuptohet se ishte nxjerrë mënjanë pasi nuk bënte pjesë në rrethin e miqve të Messit. Janë edhe ata pastaj që me Messin kurrë nuk kanë patur me argjentinasin ndonjë ndjenjë të veçantë, mbi të gjithë Griezman dhe Dembele, të cilëve Koeman synon tu japë role protagonistësh. Me pak fjalë, ekuilibri në dhomat e zhveshjes është i brishtë, me rrezikun që të kthehet në një bombë me sahat që në vështirësitë e para. Messi duhet të jetë gati edhe për këtë mundësi.