Aktualitet Vranë vajzën në 2012, gjykata lë në burg babë e bir. Avokati:...

Vranë vajzën në 2012, gjykata lë në burg babë e bir. Avokati: Provat e prokurorisë janë të errëta

Në foto: Faik dhe Shkelzen Buci sot para gjykatës

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për babë e bir, Faik dhe Shkëlzen Bucin të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin vranë vajzën Eglantina Buci 8 vite më parë.

Avokati i tyre, Arben Gramo tha se ngjarja është mohuar nga babai dhe vëllai i viktimës, ndërsa u shpreh se provat janë të errëta.

“Personat nuk e pranojnë që është kryer krimi prej tyre. Në vazhdimësi hetimi do të zbardhë të vërtetën. Provat e prokurorisë janë të errëta. Thjesht janë dyshime mbi bazën e një dëshmie. Kjo çështje ka që në 2012, 2015 dhe 2017. Tani është çelur prapë. I ati dhe vëllai janë takuar me vajzën për herë të fundit në vitin 2009. Ajo nuk banonte të shtëpia e të atit. Nga një gjykim i më mëparshëm, nga ADN dyshohet se ato eshtra janë të Eglantinës. Ata nuk kanë jetuar normalisht, prandaj edhe babai mendon se mund të jetë prostituuar vajza. Sipas Faikut, vajza nuk vinte në shtëpi”, u shpreh avokati.

Ndërkohë sot kanë dalë detaje të reja për ngjarjen. Një dëshmitar kyç, i penduar ka treguar si ka ndodhur ngjarja. Ai tha se Shkëlzeni e kishte qëlluar të motrën me një plumb në fytyrë, ndërsa vetë ishte kërcënuar nga Faiku.

Më herët në dëshminë e tij, Faik Buci pretendon se e bija është gjallë por është trafikuar.

23-vjeçarja Eglantina Buci u zhduk pa gjurmë në vitin 2012. Për këtë krim, policia akuzon shtetasit Faik Buci dhe Shkëlzen Buci, përkatësisht babai dhe vëllai i viktimës.

Aktualisht, vëllai i saj, është duke vuajtur dënimin me 13 vite burgim për vrasje në tentativë.