Turqia i bëri të dielën thirrje udhëheqësve kosovarë që të rishikojnë zotimin për hapjen e një ambasade në Jerusalem, vendim që sipas tyre mund të rëndojë situatën e Palestinës dhe për rrjedhojë të parandalojë njohje të tjera të pavarësisë së Kosovës.
Përmes një deklarate për shtyp nga ministria e Jashtme e Turqisë, Ankaraja i kërkoi Prishtinës që të respektojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara, të cilat theksojnë se konflikti mes Izraelit dhe Palestinës mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur të Palestinës me kufijtë bazuar në marrëveshjet e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Zotimi për të hapur ambasadë në Jerusalem nga Kosova u bë me dije nga kryeministri Avdullah Hoti pas marrëveshjes së Uashingtonit, ku u arrit edhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Kjo u nënkuptua edhe nga Presidenti Hashim Thaçi dhe ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, ndërsa u konfirmua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Çështja e Jerusalemit, shpallur kryeqytet nga Izraeli dhe njohur si i tillë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nxitur tensione politike pas vitit 2017, pasi qyteti konsiderohet kryeqytet edhe nga Palestina, e cila prej vitit 1980 ka shpallur pavarësinë, por nuk njihet nga Izraeli dhe dhjetëra shtete të tjera.
“Është zhgënjyes që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, është marrë qoftë dhe në konsideratë nga autoritetet kosovare,” – thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme turke.
“Turqia, një nga vendet e para që njohu Kosovën, ka siguruar që nga fillimi gjithashtu dhe mbështetje të madhe drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi [Kosovës]. Sidoqoftë, ne nuk e shohim të drejtë ndërtimin e këtij procesi [vendosjen e marrëdhënieve diplomatike] kundër së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e së cilët janë nën okupim,” – vijohet më tej në deklaratë.
Pozicioni i Ankarasë mbetet qartësisht kundër këtij vendimi, ndërsa autoriteteve kosovare u kërkohet të tërhiqen.
“Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes së Kosovës të veprojë në përputhje me rezolutat e OKB-së dhe të përmbahet nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtete të tjera në të ardhmen,” – mbyllet deklarata e ministrisë së Jashtme turke.