Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri do të zhvillohen më 25 prill 2021. Kjo është data që Presidenti Ilir Meta dekretoi të dielën pas konsultimeve që mbajti këtë javë me përfaqësuesit e partive politike.
Dekreti i Metës respekton kështu ndryshimet e Kodit Zgjedhor, i cili përcakton dy afate kohore 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor.
Opozita pati kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, ndërkohë që nga shumica socialiste është mbajtur një qëndrim i hapur, pavarësisht se në dukje ata kanë favorizuar datën 9 maj 2021.
Të premten Meta zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, mes tyre ishin edhe kryetarët e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Pas takimeve Rama, Basha dhe Kryemadhi nuk shprehën për gazetarët data specifike, ndërkohë që më herët përfaqësues të partive të vogla ishin shprehur për datën 18 prill.
Zgjedhjet e fundit parlamentare u zhvilluan më 25 qershor 2017 ku Partia Socialiste garoi pa një koalicion të madh dhe mori 48.34% të votave.
PD (28.85%) dhe LSI (14.28) morën 43.13% ndërsa PDIU (4.81%). Asokohe në zgjedhje morën pjesë 1.6 milionë qytetarë (46.75%) nga 3.4 që sipas KQZ-së kanë të drejtë të votojnë.
Ndërkohë një vit më parë, në zgjedhjet vendore të bojkotuara nga opozita, pjesëmarrja sipas KQZ-së ishte vetëm (22.96%), ose thënë ndryshe 811 mijë persona.