Genc Ruli pasi u zgjodh pjesë e komisionit të PD-së për të shqyrtuar propozimet për kandidaturat për deputetë, pati deklaruar se do të ishte mirë që ish-kryeministri Sali Berisha të mos kandidonte më.
Por Berisha i është përgjigjur kësaj deklarate, me nota humori dhe ironie. I ftuar në Syri TV, Berisha tha se Ruli është viktimë e mençurisë së vetë dhe ngatërron karrierën me betejën.
Ish-kryeministri theksoi se do ta konsiderojë mundësinë e të qenit në Kuvend, por nga beteja nuk do të tërhiqej kurrë.
“Genc Ruli është një burrë i mençur, por ndonjëherë viktimë e mençurisë së tij.
Ai ngatërron dy gjëra elementare që nuk mund të ngatërrohen kurrë me njëra-tjetrën. Ngatërron karrierën me betejën. Tjetër është beteja, tjetër është karriera.
Për karrierë, Berisha i ka dhënë fund më 26 qershor 2013. Të mendosh që një njeri që ka pasur disa funksione, qëndron deputet për karrierë, është e pamendueshme.
Beteja do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve të PD-së. Ruli është viktimë e mençurisë së tij”, u shpreh Berisha.
Çim Peka e pyeti përsëri, nëse ka ndërmend ish-kryeministri të vazhdojë betejën si deputet në Kuvend.
“Do të vazhdoj betejën. Do të shoh situatën dhe rrethanat. Nga beteja nuk tërhiqem kurrë”, u përgjigj Berisha.