Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë të mërkurë drejtuesit politikë të qarqeve në Shqipëri. Në një komunikim me gazetarët jashtë selisë rozë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se ky lloj takimi do të vijojë deri ditën e zgjedhjeve që do të zhvillohen më datë 25 Prill të vitit të ardhshëm.
Balla solli detaje nga mbledhja e këtij shtabi elektoral qendror, siç e quajti ai dhe theksoi se në fokus të ditës së sotme ishte vlerësimi që kanë qytetarët për zyrat shtetërore.
“Diskutuam mbi çështjet e karakterit organizativ padyshim edhe të një raportimi dhe vlerësimi që kemi mbledhur nga qytetarët mbi cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen ndaj aleatëve tonë të vetëm, qytetarëve. I kemi dorëzuar një përmbledhje që burojnë nga qytetarët”, tha Balla.
Një tjetër diskutim mes Ramës dhe drejtuesve politikë ka qenë edhe vlerësimi i performancës së deputetëve, ministrave dhe përfaqësuesve të tjerë të PS-së. Balla tha se po punohet për krijimin e një platforme online që do të vlerësojë ata dhe personat që do të bëjnë pjesë në skuadrën që do të hyjë në zgjedhjet e 2021-shit.
“Kemi diskutuar edhe për krijimin e një kanali komunikim virtual me anëtarësinë e partisë për të vlerësuar performancën e çdo deputeti, ministri, apo përfaqësuesve të tjerë të PS. Ky kanal virtual do të jetë i dedikuar për kontributin e çdo qytetari që duhet të vlerësojë deputetët apo për “kombëtaren” që do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist, tha se PS-ja ka bërë ndryshime të rëndësishme në mbështetje të ligjit të dekriminalizimit. Ai i ktheu përgjigje edhe gazetarëve në lidhje me ndryshimet që ka bërë Edi Rama në disa qarqe, ku ministri Sandër Lleshaj është zëvendësuar nga Lindita Nikolla.
“Sandër Lleshaj është një ministër shumë i mirë që ka performuar më së mirë në krye të ministrisë”, tha Balla.
Deputeti socialist nuk dha një datë se kur do të mblidhet Asambleja Kombëtare e partisë.