Shtëpia e Bardhë ka komentuar takimin e mbajtur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator.
Në një njoftim në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë vlerësohet kontributi i presidentit Donald Trump në arritjen e marrëveshjes së rëndësishme ekonomike dhe gjeopolitike mes dy vendeve, diçka që siç theksohet “askush nuk mendonte se do të ishte e mundur”.
“Presidenti Trump u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin kosovar Avdullah Hoti të premten në Shtëpinë e Bardhë, ku udhëheqësit njoftuan një angazhim historik për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës.
‘Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrinin një përparim të madh – diçka që askush nuk mendonte se do të ishte e mundur’, tha Presidenti Trump.
Një përfitim kyç i marrëveshjes Serbi-Kosovë, tha të Premten Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, është se tani lejon ‘vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës, një shteti me shumicë-myslimane dhe Shtetit të Izraelit”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti i SHBA-ve ka shprehur dëshirën që në një të ardhme jo shumë të largët t’i vizitojë të dyja këto vende, thekson Shtëpia e Bardhë.