Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka bërë një përpjekje të fundit për të shmangur përplasjen me Turqinë për hapësirat detare në Mesdheun Lindor.
Përmes një opinioni të publikuar në tri nga mediat kryesore në botë, “Times”, “Frankfurter Allgemeime Zeitung” dhe “Le Monde”, Mitsotakis bën thirrje për dialog me Ankaranë, por jo në kushtet e tanishme të presionit.
“Ne kemi nevojë për dialog, por jo nën tytën e armës. Ajo çfarë e kërcënon sigurinë e vendit tim, kërcënon edhe stabilitetin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së”, shkruan kryeministri grek.
Opinioni publikohet pak ditë përpara se BE të vendosë për sanksionet ndaj Turqisë, për shkak të akteve të saj në Egje dhe Mesdheun Lindor. Dhe lidhur me këtë lëvizje të fundit, Mitsotakis bën një vlerësim sipas të cilit ky është një moment ku Europa do të konfirmojë veten.
“Nëse Europa do të ushtrojë pushtet të vërtetë gjeopolitik, ajo nuk mundet të paqëtohet dhe tolerojë një Turqi militare. Turqit duhet të tërhiqen, të rikthehen në tryezë dhe ta nisin aty ku e lanë kur ikën nga bisedimet e vitit 2016. Dhe nëse nuk biem dakord atëherë mund të kërkojmë zgjidhje në Hagë”, shkruan Mitsotakis.