Donald Trump mburrej se ai “shpëtoi kokën” e trashëgimtarit të Arabisë Saudite në fron Mohammed bin Salman, të cilin Kongresi amerikan e akuzon për vrasjen e gazetarit Saudit Jamal Khashoggi, tregojnë pjesë të një interviste të dhënë nga Presidenti i SHBA për gazetarin Bob Woodward.
“Unë i shpëtova kokën”, tha miliarderi republikan Woodward-it të martën më 22 janar, duke botuar librin e tij të ri “Zemërimi”.
“Unë arrita ta bëja Kongresin të mos merrej me të. Kam arritur t’i ndaloj ata”, shtoi Trump.
Jamal Khashoggi, një bashkëpunëtor i Washington Post dhe kritik i regjimit saudit, u vra në tetor 2018 në konsullatën e vendit të tij në Stamboll, ku ai u fut aty për një sërë dokumentesh që i duheshin në kuadër të martesës me shtetasen turke Hatice Cengiz. Trupi i tij, i prerë në copa, nuk u gjet kurrë.
Vrasja e shtyu monarkinë saudite në një krizë të rëndë diplomatike dhe dëmtoi reputacionin e princit me nofkën “MBS”.
Senatorët amerikanë, madje edhe në kampin republikan të presidentit, e kanë shpallur zyrtarisht princin “përgjegjës” për vrasjen. Por Donald Trump gjithmonë i dha mbështetje.
Kur Bob Woodward e pyeti për vrasjen, presidenti amerikan fillimisht donte të devijonte nga tema. “Po, por Irani vret 36 njerëz çdo ditë…”, tha ai, pjesë të një interviste të lëshuar të enjten.
Nën presionin e bashkëbiseduesit të tij, ai më në fund këmbënguli se “MBS” mohoi të gjitha akuzat.
“Ai gjithmonë thoshte se nuk mund ta bënte atë. Dhe unë jam sinqerisht i lumtur ta them se ai kurrë nuk tha se e bëri atë”, tha Trump.
“A besoni se ai e bëri atë?”, e pyeti përsëri gazetari.
“Jo, ai thotë jo”, u përgjigj Donald Trump.
“E di, por a i beson vërtet?”
“Ai vendosmërisht tha se nuk e bëri atë”, përfundoi Presidenti Trump, dhe pastaj përsëriti përsëri se Arabia Saudite kishte shpenzuar miliarda dollarë duke blerë produkte amerikane, për të justifikuar kështu rëndësinë e mbajtjes së lidhjeve me të si aleat.