Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot punën e palodhur të ekipit mjekësor për të shpëtuar jetë në situatën e pandemisë nga COVID-19.
Ai tha se “prej 6 muajsh heronjtë e heshtur vijojnë përballjen me virusin e rrezikshëm, ditë-natë, për të shpëtuar jetë”.
Rama solli në vëmendje rastin e një të moshuare e cila kthehet në shtëpi e shëruar.
“Kjo është nënë Mariana që kthehet në shtëpi e shëruar dhe thotë këto fjalë zemre për mjekët dhe infermierët që i shërbyen në spitalin infektiv”, tha Rama.
Mariana vlerësoi të gjithë ata djem e vajza infermierë që të shërbejnë, që të ushqejnë, që të shoqërojnë, me një mjekim special, duke të ndenjtur te koka dhe duke të parë serumet”.
“Ushqimi special, pastërtia s’di ça të them për pastërtinë, të vijnë çarçafët të palosur e të hekurosur. Uji, se kam dëgjuar të thonë nga rrjetet sociale si janë kushtet në spital, është turp, jemi si në turizëm. Të të vijë uji dhe të të vijë infermieri të të thotë duhet të pish ujë të të lutet infermieri dhe të rrinë shishet rreshtuar në tavolinë. Pra një shërbim i përkryer. Mua më iku pjesa më e keqe, shpëtova jetën. Nuk kam fjalë për t’i falënderuar. Më erdhi jeta për herë të dytë”, tha Mariana.