Është shoqëruar me tensione momenti i hyrjes në Gjykatën e Posaçme i gjyqtares Mimoza Margjeka, e akuzuar për korrupsionit pasiv.
Znj. Margjeka mbërriti gati 3 orë me vonesë në gjykatë, ndërsa shpërtheu në akuza ndaj policisë, që sipas saj nuk kishin një urdhër shoqërimi, ndërkohë që nuk kishin caktuar një efektive femër për ta shoqëruar.
“S’ka urdhër shoqërimi, një urdhër gjykate që e kanë marrë dorazi. Kanë harruar, harrojnë gjyqtarin që e bënë zhele dy ditë kot, për asgjë. Qëllimi për të diskredituar njerëz. Çfarë i bëni popullit ju kur ma bëni mua këtë”, tha e irrituar gjyqtarja.
Gjyqtarja la të kuptohet se arrestimi i saj ka lidhje me mosnjohjen e zgjedhjeve të 30 qershorit ku ajo nuk njohu kryetaren e bashkisë së Durrësit.
Rasti i gjyqtares së Apelit në Korçë, Mimoza Margjeka u bë publike 2 ditë më parë.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezultonte se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj i kanë dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, Arben Cara, një shumë prej 6.000 eurosh për ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali.
Ky i fundit ishte arrestuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Pas ndalimit të këtyre shtetaseve, organet e drejtësisë kanë caktuar edhe masën e sigurisë ndaj tyre.