Anija e kërkimit e vendosur nga Ankaraja në zonën e diskutuar të Mesdheut Lindor, e pasur me gaz natyror dhe që ka ngjallur tensione me Greqinë, është kthyer në portin e Antalias.
Turqia kishte vendosur që prej 10 gushtit anijen e kërkimit “Oruc Reis” në ujërat pranë një ishulli grek. Ajo e zgjati misionin tre herë pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Bashkimit Europian dhe Greqisë për t’i dhënë fund.
Zbulimi i zonave të mëdha të gazit këto vitet e fundit në Mesdheun Lindor ka ringjallur mosmarrëveshjet e vjetra mes Greqisë dhe Turqisë përsa i përket kufijve detarë.
Misioni i anijes që përfundoi nuk u zgjat nga autoritetet turke, sipas gazetës pro-qeveritare “Yeni Safak”, që thekson se “Oruc Reis” ishte kthyer në portin e Antalias.
Vendimi për të mos zgjatur misionin e saj është parë si një etapë për t’i dhënë mundësi diplomacisë”, shkruan gazeta që vendos një lidhje me përpjekjet për fillimin e bisedimeve mes Greqisë dhe Turqisë.
Mitsotakis: Hapi i parë pozitiv
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ka vlerësuar si hap pozitiv kthimin e anijes turke “Oruc Reis” në Antalia.
“Kthimi i ‘Oruc Reis’ është hapi i parë pozitiv. Shpresoj që të ketë vazhdimësi në këtë aspekt. Ne duam të bisedojmë me Turqinë, por në një klimë ku nuk do të ketë provokime”, tha para mediave në Selanik, kryeministri grek, Mitsotakis.
“Nëse shohim shembuj të shkruar në këtë drejtim, Greqia është gjithmonë e gatshme dhe pse jo të fillojë një raund të ri të kontakteve eksploruese së shpejti. Greqia është gjithmonë e gatshme të ulet në tryezë për një dhe të vetmin ndryshim”, nënvizoi kryeministri grek, duke deklaruar se ai është i gatshëm të fillojë së pari dialogun.
Në të njëjtën kohë, ai shtoi se është zgjedhja e tij të mos sulmojë verbalisht Erdoganin.
“Për këtë qeveri, deti ka kufij, kufijtë duhet të ruhen sepse ruajtja është një ushtrim i sovranitetit kombëtar”, sqaroi Mitsotakis
Tensionet mes Athinës dhe Ankarasë u përkeqësuan, pasi Turqia rinisi kërkimet për gaz dhe naftë jashtë ishullit grek Kastellorizo.
Turqia dërgoi anijen kërkimore “Oruc Reis” të shoqëruar nga anijet ushtarake, duke bërë që Greqia të dërgonte anijet e veta në zonë për të monitoruar punën e Turqisë.