Bota Kina fut në karantinë një qytet për vetëm tre raste të reja...

Kina fut në karantinë një qytet për vetëm tre raste të reja me COVID

Kina kufizoi një qytet të vogël në kufirin me Birmaninë dhe ndërmori një depistim të përgjithshëm të banorëve pas zbulimit të vetëm tre rasteve me COVID-19, njoftoi sot bashkia e qytetit të Ruilit.

Vendi aziatik për disa muaj ka frenuar epideminë në tokën e tij. Vetëm disa të sëmurë të rinj identifikohen çdo ditë, pothuajse të gjithë ata kinezë që janë kthyer nga jashtë dhe janë vendosur në karantinë pas mbërritjes së tyre.

Me një popullsi prej 210 000 personash, komuna e mbyllur është ajo e Ruilit, që ndodhet në  provincën e Yunnan (në jugperëndim) në kufirin me Birmaninë. Bëhet fjalë për një pikë të rëndësishme kalimi mes dy vendeve.

“Të gjithë banorët duhet të qëndrojnë në shtëpi tashmë dhe të kryejnë një test depistimi”, theksoi sot bashkia.

Ajo theksoi gjithashtu se asnjë hyrje apo dalje nga qyteti nuk është e autorizuar. Përveç të tjerave, të gjitha tregjet e komunës janë mbyllur, me përjashtim të supermarketeve, farmacive dhe tregjeve ushqimore.

Kina ka raportuar në muajt e fundit disa vatra epidemike të lokalizuara, përfshirë një në Pekin. Por ato janë trajtuar menjëherë me kufizime, identifikimin e rasteve të kontaktit dhe karantinat.

Vendi aziatik mbetet ende i mbyllur për të huajt, përveç rasteve të rralla.