Vizitën zyrtare në Athinë kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi edhe për të zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë në Greqi. Fillimisht, shefi i qeverisë u kërkoi ndjesë bashkatdhetarëve për shërbimin në ambasadën shqiptare atje.
“Më vjen keq që personeli dhe drejtuesja e ambasadës nuk kanë dhënë atë që duhet, por kjo nuk është për t’ia lënë as asaj dhe as personelit, kjo është përgjegjësia jonë. Ju kërkoj ndjesë të gjithë emigrantëve për të gjitha shqetësimet. Do të kemi më shumë shërbime që do të jenë edhe online. Kemi sjellë një ambasadore të re, një vajzë të përkushtuar që ka një eksperiencë jo të vogël me trajtimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. I vetmi mesazh që i kam dhënë është që politikën e madhe e bëjmë edhe ne të tjerët, ti ke prioritet shqiptarët që janë në Greqi.”
Më tej, Edi Rama deklaroi se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë të mira dhe se po punohet për t’u garantuar të drejtat qoftë shqiptarëve në Greqi, ashtu edhe grekëve në Shqipëri.
“Me qeverinë greke jemi në një situatë shumë pozitive për të trajtuar të gjitha problematikat që ju i njihni. Heqja e ligjit të luftës është gur themeltar për të hapur një faqe të re. Hap rrugën për të gjitha çështje e pronësisë që të zgjidhen në mënyrë ligjore në rrugë gjyqësore kombëtare apo ndërkombëtare. Padiskutim që është legjitime që siç ne jemi të interesuar për cilësinë e jetës dhe të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Greqi, edhe pala greke të jetë e interesuar për të drejtat e grekëve që jetojnë në Shqipëri. Është një kërkesë legjitime dhe një obligim moral, qytetar, shtetëror që qoftë shqiptarët në Greqi, qoftë grekët në Shqipëri, të ndjehen si në shtëpi, që nga e drejta e pronës, tek e drejta e shkollimit në gjuhën amtare, tek e drejta e punës, e të gjitha me radhë.”
Përballë emigrantëve shqiptarë, Rama nuk la pa prekur edhe çështjen e detit. Ai deklaroi se ka ardhur koha që kjo çështje të marrë një zgjidhje përfundimtare. Rama propozoi që kjo të bëhet ose me ndihmën e një pale të tretë, ose me ndihmën e Gjykatës Ndërkombëtare.
“Kemi folur për çështjen e zgjidhjes definitive të problemit të përkufizimit të hapësirave reciproke detare. Besoj që jemi në rrugë të mbarë. Vazhdoj të mendoj që rruga më e mirë është t’i drejtohemi një pale të tretë apo Gjykatës Ndërkombëtare. Këto gjëra duhen zgjidhur pa humbur kohë.”
Edi Rama pati një darkë pune të martën me kryeministrin grek, Kyriakos Mistotakis. Ai ndodhet në Athinë sepse mori pjesë në tryezën e organizuar nga “The Economist”, me temë “Ballkani Perëndimor përtej 2020”.