Ishujt Barbados kanë vendosur që të heqin Mbretëreshën Elizabeth II si kreun e shtetit të tyre dhe do të kthehen në një Republikë. “Ka ardhur koha që të lëmë pas të kaluarën tonë koloniale”, tha qeveria e shtetit që ndodhet në Karaibe.
Ekzekutivi synon që ta përfundojë këtë proces brenda nëntorit të vitit 2021, që përkon me 55-vjetorin e pavarësisë së shtetit. Në një fjalim të shkruar nga kryeministrja Mia Motley, e të lexuar nga Guvernatori i Përgjithshëm thuhet se banorët donin një vendas në pozicionin e kreut të shtetit. Pallati “Buckingham” reagoi se kjo çështje i përket popullit dhe qeverisë së Barbadosit. Ideja e shkëputjes totale nga Mbretëria e Bashkuar nuk është e re. Një komision kushtetues këshilloi që në vitin 1998 shndërrimin e vendit në Republikë.
Barbados nuk do të ishte ish-kolonia e parë britanike që kthehet në republikë. Guajana ndërmori këtë hap në vitin 1970, më pak se katër vite pasi fitoi pavarësinë nga Britania. Në vitin 1976 Trinidad dhe Tabago bënë të njëjtën gjë dhe dy vite më vonë u krijua edhe Republika Dominikane. Megjithatë, të tre shtetet mbetën pjesë e Komonuelthit, një bashkim ekonomik mes ish-kolonive britanike dhe disa shteteve që janë ende në varësi të Kurorës, bashkë me vende që nuk kanë pasur lidhje historike me Britaninë.