Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan se në zgjedhjet e 25 Prillit nuk do të hyjë për provë.
Basha iu përgjigj pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se nëse ndihet gati për të fituar zgjedhjet apo do të hyjë sërish në garë për provë.
“PD nuk hyn për provë në zgjedhje. Sot është e rëndësishme për shqiptarët alternativa”, tha Basha.
Duke komentuar protestën e naftëtarëve ditën e sotme, Lulzim Basha e krahasoi atë me gjendjen e Shqipërisë prej 7 vitesh. Sipas kryeopozitarit, vendi është në këtë gjendje për shkak të korrupsionit.
“Një stoli e një ministri do të shërbente për të paguar rrogat e këtyre njerëzve”, tha Basha, i cili premtoi se nëse shkon në pushtet personat që janë përgjegjës do të dalin para ligjit.
“Nuk do të kursej asnjë njeri. Çdo përgjegjës për këtë degradim të pasurie. Kjo është tipike. Në kurriz të këtyre njerëzve janë pasuruar 3 apo 4 individë”, tha Basha.
Programi ekonomik, Basha: Nuk premtoj mrekulli dhe premtime false
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, nuk premton mrekullira me programin e tij elektoral për zgjedhjet e ardhshme.
Kreu i opozitës tha se selia që ai drejton ka punuar prej dy vitesh për të krijuar një program realist që sipas tij do të nxjerrë vendin nga kriza.
Pjesë e punës për realizimin e këtij programi janë bërë ekspertë të huaj dhe vendas ekonomie. Megjithatë, Basha tha përballë Blendi Fevziut se nuk do të ketë premtime false.
“Nuk ka në këtë program premtime për mrekullira. Dua ta them të parën këtë: Nuk ka premtime falso, 300 mijë vende pune, këtë falas, atë falas etj. Ka zgjidhje reale për sektorin e ekonomisë”.
Programi ka komponentin e vet ekonomik dhe politik, tha Basha. Ai deklaroi se taksa e sheshtë 9% është një element i panegociueshëm nëse vjen në krye të qeverisë.
“Taksa e sheshtë 9% është një angazhim tashmë, nuk është më premtim. Taksa është një element thelbësor i panegociueshëm”, duke deklaruar se edhe aleatët duhet të jenë dakord me këtë vendim.
Sipas Bashës do të ketë një fasho. Deri në 300 mijë lekë të vjetra do të jenë pa taksë dhe mbi 300 mijë lekë taksa do të jetë 9% e sheshtë për çdo kategori.
“Taksa 9% do të jetë për tatimin mbi të ardhurat personale, tatim fitimin mbi bizneset, do të jetë 9% pjesa e punëmarrësit dhe 9% pjesa e punëdhënësit për sigurimet”, tha Basha.
Biznesi i vogël do të kualifikohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra në vit.
“Do të paguajë një taksë të vetme 0.5% e xhiros vjetore”, tha Basha, i cili shtoi se nuk do të ketë asnjë lloj tjetër takimi qendror apo lokal.