Shumë shtete europiane po përgatiten të implementojnë masa të reja kufizuese për të ndalur përhapjen e koronavirusit, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se situata është shumë serioze.
Britania e Madhe po konsideron implementimin e kufizimeve strikte për kohë të shkurtër rreth Anglisë. Nuk përjashtohet as mundësia e një izolimi të dytë.
“Kemi para përshpejtim të numrit të rasteve me Covid-19 përgjatë javëve të fundit. Fatkeqësisht edhe numri i personave të shtruar në spital me koronavirus po dyfishohet çdo 8 ditë. Kështu është e nevojshme të reagojmë dhe që njerëzit të zbatojnë rigorozisht rregullat”, deklaroi Matt Hancock, ministri i Shëndetësisë britanike.
“Nëse e bëjmë këtë e nëse izolojmë personat e testuar pozitiv mund të shmangim hapa të tjerë seriozë”, theksoi ai.
Bashkë me Britaninë e Madhe qeveritë e Francës, Spanjës dhe Holandës pritet të njoftojnë kufizime të reja.
Në kryeqytetin spanjoll Madrid, ku janë regjistruar shumica e rasteve të reja në vend, autoritetet kanë paralajmëruar se sistemi rajonal i shëndetësisë është nën trysni serioze nga pacientët e COVID-19. Franca ndërkaq, pritet të prezantojë masa të reja strikte në qytete të mëdha të tilla si Lion dhe Nicë.
Me herët, autoritetet franceze kufizuan aktivitetet sociale ne Marsejë dhe Bordo, dy qytete ku kapaciteti në terapitë intensive është pranë ezaurimit. Të enjten, shefi rajonal i OBSH për Europën Hans Kluge tha se 300 mijë infektimet e reja ishin raportuar rreth Europës javët e kaluara, me shifrat që po tejkalojnë ato të pikut të pandemisë në muajin mars.
Ai e cilësoi si alarmant, nivelin e përhapjes rreth kontinentit dhe u bëri thirrje shteteve të marrin masa.
“Në pranverë dhe në fillim të verës, ne ishim në gjendje të shihnim ndikimin e masave të rrepta të bllokimit. Përpjekjet tona, sakrificat u shpërblyen. Në qershor, rastet arritën një minimum të të gjitha kohërave. Rritja e të infektuarve gjatë shtatorit, duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për të gjithë ne. Megjithëse këta numra pasqyrojnë testime më gjithëpërfshirëse, kjo gjithashtu tregon nivele alarmante të transmetimit në të gjithë rajonin“, është shprehur Hans Kluge, drejtuesi i OBSH në Europë.