Aktualitet Arrestohet organizatori dhe porositësi i dyshuar i dy vrasjeve në Elbasan

Arrestohet organizatori dhe porositësi i dyshuar i dy vrasjeve në Elbasan

34-vjeçari Erion Alibej dyshohet se është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhur në korrik të këtij viti në qytetin e Elbasanit. Policia ekzekutoi sot masën arrest me burg ndaj 34-vjeçarit, i cili akuzohet për vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim. Alibej, sipas policisë, qëndron pas ekzekutimit të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Shkumbini”, u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimit nga strukturat hetimore, për shtetasin E. A., 34 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas është organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri shtetasi Emiljano Ramazani dhe i vrasjes së ndodhur më datë  29.07.2020, në afërsi të varrezave të qytetit, ku mbeti i vrarë me armë të ftohtë shtetasi Regis Runaj”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vrasjet

Për vrasjen e Ramazanit dhe Runajt janë arrestuar më herët edhe 4 persona të tjerë. Ndërkohë, autoritetet thonë se po hetohet për përfshirjen e 34-vjeçarit Alibej në ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura kohët e fundit në Elbasan.

Kush është Erion Alibej?

Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej, i ekzekutuar më armë zjarri më 29 dhjetor të 2018-s, në Elbasan. Në atentatin në fjalë të vrarë mbetën edhe dy persona të tjerë, xhaxhai i vëllezërve Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay.

34-vjeçari Erion Alibej, drejtonte bashkë me të vëllain e ekzekutuar një grup që merrej me trafik lëndësh narkotike.

Erion Alibej është me precedent penal edhe në Itali ku njihej edhe me emrat Erion Dylgjeri e Andrea Alibej.