Opinione Propozimi i socialistëve për listat është një ofertë për Bashën

Propozimi i socialistëve për listat është një ofertë për Bashën

Nga Mero Baze

Propozimi i Partisë Socialiste për hapjen e plotë të listave, me një mekanizëm që e bën më të vështirë kapërcimin në listë, është një ofertë që i bëhet Bashës për të shpëtuar nga problemet brenda listës së tij me aleatët.

Propozimi teorikisht i hap listat, por nëse nuk ke vota të mjaftueshme sa për një deputet, praktikisht e bën të vështirë për shumë deputetë ta ndryshojnë renditjen e partisë me votat që marrin.

E thënë më thjeshtë, partia paraqet një renditje të saj për zgjedhësit. Ata kanë të drejtë të votojnë se kë duan më shumë nga deputetët. Deputeti që mund të prishë renditjen e partisë, duhet së paku të marrë aq vota sa i bie mesatarja për një mandat brenda qarkut. Ai që e kap vetë një mandat sposton deputetin që ka sipër vetes.

Ai teorikisht mund të dalë i pari, i dyti apo i pesti i listës në varësi sa vota sipër një mandati marrin dhe të tjerët.

Pra teorikisht është në rregull.

Praktikisht, ka pak gjasa që më shumë se një 1 apo dy deputetë ta kalojnë këtë prag, kështu që ka për të mbetur renditja e listës së partisë.

Kjo formulë që përdoret kryesisht nga kroatët, lind nevojën që lista të jetë me personalitete të forta politike të cilat japin dhe vota personale përveç imazhit që u jep partia duke i vendosur në listë në një vend të caktuar.

Formula është një ofertë e socialistëve për PD dhe personalisht Lulzim Bashën, i cili problemin kryesor që ka me listat e hapura është se humbet koalicionin me pesë aleatët e vet, që i ka pjesë të listës së tij nga viti 2017.

Duke përdorur këtë formulë që ofron PS, Basha e ka të lehtë t’i fusë ata në pjesën fituese të listës dhe do të ketë shumë pak surpriza për t’i përmbysur ata, pasi pjesa jo fituese zakonisht nga PD, mbushet me tipa “Gjuzi” si këta që ka në Parlament.

Ndaj dhe oferta e PS nuk ka ngjallur ndonjë reaksion real tek PD. Ata po bëjnë sikur nuk e kanë mendjen tek propozimi dhe po merren me debate anësore rreth Këshillit Politik, pasi me këtë formulë janë në rregull.

I vetmi që duket se është shqetësuar realisht është Ilir Meta, i cili duket se e ka kuptuar thelbin e ofertës së socialistëve për Bashën dhe i është prishur skema e përdorimit të listës së hapur me prag qoftë dhe një votë më shumë se tjetri, me të cilin ai mund të grinte listën e PD, nëse do dilnin me listë të përbashkët me PD, ose të motivonte të vetët për më shumë vota, nëse do dilte në një koalicion më vete me Dulen.

Në ditët në vijim ka shumë pak kohë dhe mundësi të humbet me debate, pasi PD do të duhet të marrë përgjegjësinë për tenderin e verifikimit të votuesit që është premtuar me marrëveshjen e 5 Qershorit, dhe me zgjedhjen e KQZ së re.

Me këtë ofertë socialistët realisht kanë tradhtuar opozitën parlamentare dhe partitë e reja, pasi për LSI nuk kanë ndonjë përgjegjësi.

Tani në ditët në vijim PS mund të kthehet tek propozimi i opozitës parlamentare për hapje listash pa prag, nëse PD trembet nga reagimi i LSI dhe shkon pas saj. Por fillimisht ajo duket që ja ka ofruar PD, pazarin më të mirë për hallin që ka Basha brenda koalicionit por dhe për hallin e vet. Dhe më së miri kjo reflektohet tek reagimi i sotëm i Metës që flet në numrin shumës për “shakaxhinj të integrimit”.