Politika Rudina Hajdari propozon amendamente për hapjen 100 për qind të listave

Rudina Hajdari propozon amendamente për hapjen 100 për qind të listave

Përfaqësuesja e opozitës parlamentare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari ka propozuar një draft me amendimet përkatëse në kodin zgjedhor, të cilat sipas saj garantojnë hapjen 100% të listave, “jo vetëm si mekanizëm i shprehjes së opinionit popullor mbi cilësinë e kandidatëve, por mbi të gjitha si një mekanizëm përzgjedhës i deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë”.

Përmes një letre të hapur drejtuar Këshillit Politik, deputetja përshëndet qëndrimin konsensual që u arrit nëpërmjet deklaratave publike të të gjitha palëve politike lidhur me hapjen e listave 100% dhe kërkon nga përfaqësuesit e palëve në këtë këshill që të vijojnë intensivisht punën për ta përmbyllur këtë proces.

“Duke qenë se edhe PS, edhe PD edhe LSI janë shprehur tashmë publikisht se qëndrojnë për hapjen 100% të listave, unë ju ftoj të takohemi ditën e martë, 22 shtator, ora 10:00 për të punuar non stop deri në realizimin e një dokumenti të dakordësuar për mundësimin e hapjes 100% të listave, për t’ua dhënë zgjedhësve në dorë fuqinë për të përzgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend.

Do të ishte zhgënjyese për të gjithë shqiptarët, por edhe anti-kushtetuese nëse palët do të tërhiqeshin nga qëndrimet tashmë të qarta mbi mundësimin e përzgjedhjes së përmbajtjes së Kuvendit të ardhshëm nga shqiptarët e jo thjesht nga kryetarët e partive”, shprehet deputetja Hajdari.