Opinione BE – Ballkan: Nevoja për një strategji përfshirëse

BE – Ballkan: Nevoja për një strategji përfshirëse

Gjergji Kajana

Publicisti shqiptar Gjergji Kajana ka kontribuar me një artikull tematik në një forum debati promovuar prej Qendrës së Studimeve mbi Politikën Ndërkombëtare (CeSPI), bazuar në Romë të Italisë. Artikulli është botuar në italisht e titullohet “BE – Ballkan: nevoja për një strategji përfshirëse”. Lançuar në korrik në uebsajtin e Qendrës italiane, debati titullohet “BE e Ballkani: basti i zgjerimit” dhe ka për temë zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor pas miratimit (shkurt 2020) prej Komisionit Evropian të një metodologjie të re të procesit. Kjo metodologji do të zbatohet edhe ndaj Shqipërisë, prej marsit 2020 vend negociues për aderimin. Bazohet në 4 shtylla që synojnë ta kthejnë procesin në më të besueshëm (fokus mbi shtetin e së drejtës e sistemin gjyqësor), më politik, më dinamik e më të parashikueshëm përmes kushtëzimesh pozitive ose negative. Në Ballkanin Perëndimor procesi prek Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinën e Kosovën.

Në një kohë të afërt artikujt e debatit do të botohen në një vëllim përmbledhës kuruar prej CeSPI-t pranë shtëpisë botuese italiane Donzelli.

Sjellim më poshtë artikullin e përkthyer të Kajanës me disa shkurtime për qëllime redaktimi.

BE – BALLKAN: NEVOJA PËR NJË STRATEGJI PËRFSHIRËSE

Nga Gjergji Kajana

Në nivel marrëdhëniesh aktualisht Ballkani Perëndimor rezulton i lidhur shumë ngushtësisht me Bashkimin Evropian. Vihet re një rritje e ndërshkëmbimeve ekonomiko-politike: 70% e tregtisë së 6 vendeve zhvillohet me BE-në, e cila investon në rajon mbi 10 miliardë euro dhe vepron si partner kryesor e garant i jashtëm i zhvillimit; 4 prej vendeve ballkanike (Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria) janë angazhuar në negociatat për aderimin. I pamohueshëm, veçse, fakti se procesi i zgjerimit i nënshtrohet ecejakesh ciklike, vendosur prej Brukselit e ngjallëse pakënaqësie në Ballkan. Historikisht vëmendja e evropianëve drejt Ballkanit ka qenë e lartë mbi të gjitha përgjatë krizave të shpeshta në rajon, pa u kuptuar prej tyre se veprimi në periudha stabiliteti është ilaçi më i mirë për parandalimin e krizave të reja. Kriza migratore e 2015-s shtoi fokusin mbi vendet e rajonit (kthyer në korridor kalimi i refugjatëve nga Azia), duke theksuar faktin se pa një zgjidhje të jashtme (në rastin konkret angazhimi i Gjermanisë për të mikpritur të arratisurit) këto vende nuk mund të përballojnë fenomene të tilla pa rrezikuar stabilitetin e tyre shoqëror. Secila krizë e ardhshme migratore do të forconte në Gadishullin Ballkanik racizmin e forcat ekstremiste.

Për të siguruar përkatësinë e plotë të Ballkanit Perëndimor brenda universit BE, duhet ndërtuar në Gadishull aderimi në vlerat e përbashkëta liberaldemokratike rreshtuar në nenin 2 të Traktatit të Bashkimit Evropian (respekt për dinjitetin njerëzor dhe ligjin e të drejtat e njeriut, liria, demokracia, barazia). Vlerat e përbashkëta përfaqësojnë një shtyllë të zgjerimit dhe asimilimi i tyre, ashtu si edhe ai i kritereve të Kopenhagenit, është nevojë për Ballkanin për ta nxjerrë prej periferisë historiko-politike. Në rajon aderimi tek këto vlera ka nisur të zhvillohet vetëm 30 vitet e fundit, pas rënies së komunizmit.

Përveç rrënjosjes me vështirësi të demokracisë kuptuar si praktikë elektorale e qeverisëse, ndikon mbi ecjen me pengesa të zgjerimit fakti se një pjesë e madhe e opinioneve publike të vendeve të BE-së mbetet kundërshtare e kësaj hapjeje, duke i parë ballkanasit si emigrantë ekonomikë potencialë e përfitues të burimeve të shtetit social. Në 2017 ishin kundër zgjerimit 64% e holandezëve dhe 59% e belgëve e luksemburgezëve. Një tjetër shqetësim ka të bëjë me delokalizimet e mundshme prodhuese të sipërmarrjeve nga Perëndimi në Ballkan pas aderimit eventual. Në këtë kontekst duhet shpjeguar se vendet ekonomikisht më pak të zhvilluara të BE-së përfitojnë transferime monetare neto prej bilancit komunitar dhe mund të përdorin pasurinë e prodhuar në to prej sipërmarrjeve të delokalizuara, por gjenerojnë fitime një pjesë e të cilave rikthehet në vendet origjinë të këtyre sipërmarrjeve.

Depërtimi i Kinës, Rusisë, Turqisë e vendeve arabe vendos në rrezik rolin parësor të BE-së në Gadishull. Edhe ky fenomen thekson se pse Bashkimi duhet të marrë një rol politik udhëheqës, duke e kthyer në një siguri perspektivën e aderimit dhe pa u kufizuar vetëm të nxisë ose konstatojë zhvillimet që lidhen me kriteret e Kopenhagenit, reformat e kapitujt e aderimit. Për të arritur këtë qëllim shërbejnë sinjale e rezultate siç qenë sivjet hapja e negociatave të aderimit me Tiranën e Shkupin, paketa prej 3.3 miliardë eurosh akorduar nga Brukseli vendeve të rajonit për të përballur pasojat e pandemisë Covid-19 dhe siç do të ishte liberalizimi i vizave për Kosovën. Një herë që vendet kanë përmbushur kriteret teknike (rasti me negociatat e vizat) ose gjenden në nevojë (pandemia) këto sinjale do t’i shënonin rajonit faktin se BE përbën një partner e fqinj të besueshëm.

Për të rilançuar vendosmërisht aderimin dhe shtytur Brukselin drejt një federalizmi që mund të favorizojë një qasje vendimmarrëse më të theksuar nevojiten mes të tjerave: 1) një strategji e rritjes së peshës së BE, e realizueshme brenda Bashkimit dhe frymëzuar nga një vizion gjeopolitik më i gjerë se aktuali; 2) ndryshim i modaliteteve vendimmarrëse në Bashkim, duke favorizuar parimin e votimit me shumicë të kualifikuar edhe në çështjet e zgjerimit; 3) bashkëpunim i ngushtë e sa më i barabartë me vendet e rajonit. Aspekt jetik ky i fundit, theksuar edhe nga metodologjia e re e zgjerimit. Është shumë e mundur që aderimet e vendeve të ndodhin në kohë të ndryshme (Bosnje-Hercegovina e Kosova gjenden kritikisht pas në proces), por përgatitja e tyre duhet të jetë sa më homogjene e mundur për të mundësuar përfitimin e përvojave.

Tek suksesi i zgjerimit renditen shpresat më të gjalla për një të ardhme më të mirë të shumicës së opinionit publik të 6 vendeve. Barometri Ballkanik i fundit (qershor 2020) regjistron se 59% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë në favor të aderimit në BE, me një miratim nga shoqëria civile në rritje 10% ndaj 2019-s. Kjo shoqëri civile ka marrë motivime të përtëritura prej lançimit në 2014, me nismë të kancelares Merkel, të Procesit të Berlinit. Një prej qëllimeve të Procesit: aktivizimi i bashkëpunimit rajonal ballkanik edhe përmes forumeve të reja përfshirëse të shoqërisë civile. Strategji për t’u përshëndetur: për pasojë të vonesës historike ndaj pluralizmit vendet në rajon ecin ngadalë në jetësimin e një shoqërie civile kritike ndaj shtrëmbërimeve që shkakton korrupsioni në politikë e ekonomi dhe që të jetë aktive në nisma solidariteti shoqëror. Gjatë Procesit kanë lindur nisma si RYCO (bashkëpunim rinor), WBF (fond ndihme në kulturë, arsim, kërkim, zhvillim të qendrueshëm, çështje gjinore), Forumi i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor, WB6 CIF (platformë bashkëpunimi e dhomave të tregtisë e industrisë). Ekzistenca e tyre tregon se këto nisma mund të gjejnë terren pjellor aktivizmi në sektorë të gjerë të shoqërive të përfshira.

Vitet e fundit ekzistojnë shembuj të tjerë virtuozë të angazhimit të BE në sigurinë e rrënjosjen e shtetit të së drejtës në rajon. Më i rëndësishmi është vendosja e dialogut Serbi – Kosovë, kanalizuar në binarë konstruktivë (2013) prej Përfaqësueses së Lartë të BE-së mbi Politikën e Jashtme e sigurinë Ashton përmes ndërmjetësimit të marrëveshjes së autonomisë thelbësore të zonave me shumicë serbe në Kosovën Veriore. Edhe duke mos pasur marrëdhënie diplomatike të drejtpërdrejta, prej atëherë Beogradi e Prishtina gëzojnë një kanal të drejtpërdrejtë kontakti, fakt që zvogëlon mundësi konflikti të ri. Siç u përmend më sipër, besueshmëria e Brukselit në Prishtinë duhet fuqizuar me liberalizmin e lëvizjes në zonën Shengen për qytetarët kosovarë. Me rëndësi për shtetin e së drejtës rezulton mbështetja tekniko-politike dhënë Shqipërisë në procesin kushtetues (2016) të reformimit të sistemit gjyqësor. Gjithashtu, tërheqja e butë ushtruar nga perspektiva e aderimit ka nxitur Maqedoninë e Veriut të zgjidhë problemin e çështjes së emrit të saj në një konflikt diplomatik me Greqinë. Të treja rastet nënvizojnë potencialin stabilizues të BE-së në rajon.

Roli i Gjermanisë, vendi më i rëndësishëm i BE-së, ka qenë vendimtar në shtytjen para të procesit të zgjerimit. Janë marrë nisma të rëndësishme në sheshimin e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi me qëllim zgjidhjen e tyre para aderimit eventual të dy vendeve, nxitjen e bashkëpunimit rajonal (Procesi i Berlinit, një takim në Berlin në 2019 me liderët e vendeve të zonës) e shkrirjen e akujve mes Shqipërisë e Serbisë, çuarjen para të kandidaturës boshnjake të aderimit. Berlini është partner kryesor tregtar i vendeve të rajonit, ka një përfaqësim të fortë në terren të organizatave të veta ekonomike (aty vepron Shoqata Gjermane e Biznesit në Lindje OAOEV) dhe një njohje të drejtpërdrejtë të dinamikave politike atje. Kanë qenë mbi të gjitha shtysat gjermane që nxitën rritjen e bashkëpunimit rajonal mes Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, të cilat projektojnë të realizojnë brenda 2021-shit zonën e shkëmbimit të lirë mes tyre përcaktuar në terma gazetareskë “Minishengeni ballkanik”. Kosova është angazhuar t’i bashkohet kësaj nisme, që shihet me interes të gjallë edhe prej Malit të Zi.

Ky angazhim gjerman duhet përkrahur fort nga krejt Bashkimi ose të paktën prej peshave të rënda si Franca e Italia, që mund të ndihmojnë ecjen në binarë të shpejtë të zgjerimit përmes rinisjes e përfshirjes në to të partnerëve evropianë të nismash diplomatike si Takimi Tripalësh i Ministrave të Jashtëm italian, serb e shqiptar nisur në 2015-n. Secili hap diplomatik në Ballkan i vendeve kryesorë të BE-së, autorë e ekzekutorë të qasjes ndërqeveritare brenda perimetrit komunitar, duhet sjellë tek Bashkimi Evropian për ta bërë këtë më të besueshëm, të informuar e të pranishëm në dinamika në lëvizje. Përveç shoqërisë civile lokale, duhen përfshirë prej BE-së si prurëse kontaktesh në terren edhe organizatat e mëdha ekonomike të vendeve anëtare (OAOEV, Konfindustria italiane, AICS) që veprojnë në rajon.

BE nuk zotëron ende një arkitekturë vepruese federale dhe prandaj, për të nxitur procesin e zgjerimit, rezulton i pazëvendësueshëm në këtë çast thellimi i marrëdhënieve edhe dypalëshe mes aktorëve, shoqëruar nga një komunikim i qartë 6 vendeve ballkanike të marrëdhënies se integrimi do të jetë i pashmangshëm. Procesi nuk mund të mos jetë vertikal por duhet të përmbajë më tepër siguri. Ballkani është Evropë, ndërlidhja mes palëve është e fortë dhe strategjia për të përfshirë 6 vendet brenda kufijve komunitarë i forcon krejt partnerët në terma stabiliteti, ndërveprimi ekonomik, projektimi gjeopolitik e përhapjeje të demokracisë.