1%-shi më i pasur në planet ndot dy herë më shumë se gjysma më e varfër. Sipas raportit të Institutit të Mjedisit Oxfam-Stockholm, botuar në prag të Asamblesë së Përgjithshme të KB, e cila do të duhet të diskutojë për emergjencën klimatike, më të pasurit në planet, 63 milionë njerëz, kanë emetuar 15% të CO2, ndërsa popullsia e mbetur, 3.1 miliardë njerëz, vetëm 7%. Ndërsa 10%-shi më i pasur i popullsisë botërore (rreth 630 milionë njerëz) është përgjegjës për 52% të emetimeve të CO2. Një shifër që është përkeqësuar me kalimin e viteve: midis 1990 dhe 2015 emetimet vjetore u rritën me 60%, por 5% më i pasur i popullsisë shkaktoi më shumë se një të tretën (37%) të kësaj rritjeje.
Me emisionet e karbonit pothuajse të dyfishuara në 25 vjet, është gjithnjë e më e vështirë të kufizohet rritja e temperaturave brenda 1.5 gradë. Nga kërkimi, i cili analizon sasinë e emetimeve dhe lidhjen me të ardhurat, në 25 vjet, 10% më të pasur kanë konsumuar një të tretën e “buxhetit global të karbonit” ndërsa gjysma më e varfër e popullsisë vetëm 4%. Me fjalë të tjera, sasia maksimale e dioksidit të karbonit që mund të lëshohet në atmosferë pa rritur temperaturën globale mbi 1.5 gradë celsius tashmë është konsumuar me më shumë se 30% nga 10% e popullsisë më të pasur në planet.
Rritja prej më shumë se 1.5 gradë celsius e temperaturës globale konsiderohet nga shkencëtarët si kufiri përtej të cilit do të ndodhnin katastrofat klimatike.
Izolimi i imponuar nga Covid-19 në shumë vende e ka ngadalësuar këtë proces, por tashmë me lehtësimin e kufizimeve, emetimet e CO2 kanë filluar të rriten përsëri: Oxfam na kujton se sa e rëndësishme është të zvogëlojmë emetimet globale me 30% në mënyrë që të mos shterojmë, deri në vitin 2030, pjesa maksimale e emisioneve që ne mund të përballojmë të prodhojmë pa ngritur temperaturën globale përtej 1.5 gradë celsius.
Për të arritur këtë qëllim, zakonet më të pasurve të planetit duhet të ndryshojnë realisht: sot pabarazia e CO2 është aq e thellë sa, edhe nëse pjesa tjetër e botës miraton një model të emetimeve zero deri në vitin 2050, 10%-shi më i pasur mund të mbarojnë rezervat deri në vitin 2033. Raporti vlerëson se 10%-shi më i pasur duhet t’i reduktojë emetimet e karbonit për frymë me dhjetëfish deri në 2030, për të siguruar që rritja e temperaturave globale të mos kalojë 1,5 gradë celsius.
Ndërsa vendet më të pasura prodhojnë shumicën e shkarkimeve, vendet më të varfra vuajnë pasojat: gjatë vitit 2020, me një temperaturë mesatare globale prej 1°C mbi nivelet e vlerësuara para-industriale, ndryshimi i klimës shkaktoi ciklone të dhunshme në Indi dhe Bangladesh, pushtime karkalecash që shkatërruan të korrat në shumë rajone të Afrikës, valë të nxehta të papara dhe zjarre në Australi dhe Shtetet e Bashkuara, kujton Oxfam.