Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka diskutuar mbrëmjen e sotme për grupin e kokainës të drejtuar nga shqiptarët që u shkatërrua javën e kaluar gjatë operacionit “Los Blancos”. Në Dubai u arrestua Eldi Dizdari, një nga personazhet më të përfolur. Dizdari do të ekstradohet në Itali për llogari të Italisë.
Por përse personat e përfshirë në trafikun e kokainës qëndrojnë në Dubai?
Gazetari Artan Hoxha tha në emisionin “Opinion” se në Emiratet e Bashkuara qëndrojnë bosët e krimit për të mos qenë nën vëmendjen e autoriteteve europiane.
“Jetojnë bosët kryesorë të trafikut të kokainës. Bosët e mëdha janë zhvendosur në Dubai me idenë që aty të investojnë paratë. Dhe së dyti, për të qëndruar larg syrit të autoriteteve europiane. Ata i janë larguar Shqipërisë vetëm për të mos patur konflikt me grupet rivale. Nuk është problem autoritetesh. Ata janë aq të aftë sa të korruptojnë”, tha gazetari Hoxha.
“Los Blancos” nuk ishte kartel droge
Gazetari Artan Hoxha ka folur sot në emisionin “Opinion” në Tv Klan për goditjen e grupit shqiptar “Los Blancos”.
Hoxha u shpreh se grupi i trafikantëve të kokainës nuk mund të quhet kartel droge, por një bandë. Ai tha se karteli është një bashkim bandash e grupesh kriminale që vendosin dhe çmimin e drogës.
“Zanafilla vjen nga Firence. Mediat italiane dhe autoritetet italiane kanë specifikuar se kanë shkatërruar kartelin. Nuk është një kartel, por është një degëzim. Ky grup e merrte drogën në Ekudor.
Rastet që përfshihen në Ekuador që kemi ngjarjen e janarit të Jan Prengës, kemi rastin në Hambur të Gjermanisë. Debati është a kemi të bëjmë me një kartel apo jo? Në koncept karteli është një seri grupesh që vendosin një çmim fiks, nuk lejojnë askënd që të futet mes tyre dhe përdorin resurset e tyre”, u shpreh gazetari.