Aktualitet Vdes shqiptari që i bënë atentat në Romë, lidhja me vrasjen e...

Vdes shqiptari që i bënë atentat në Romë, lidhja me vrasjen e “Diabolikut” të Lazios

Shqiptari, ndaj të cilit disa ditë më parë u bë një atentat, ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra. Viktima është 38-vjeçari Selavdi Shehaj, i cili u qëllua me pistoletë të dielën në mëngjes ndërkohë që po qëndronte në plazh në Torvaianica.

Siç shkruajnë mediat, Shehaj kishte marrë dy plagë të rënda. Pavarësisht se ishte futur në dy operacione të ndryshme, i riu nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja është nën hetim ndërsa mësohet se Shehaj ka precedentë të mëparshëm penal.

Ai u qëllua në breg të detit nga një person që ishte veshur si vrapues. Plumbat, shqiptari i mori në shpinë. Më pas, autori është zhdukur mes turmës duke humbur gjurmët. Dyshohet se ai ka pasur bashkëpunëtorë.

Bëhet fjalë për një tjetër person që e ka ndihmuar të largohet nga skena e krimit me një motor. Të dy këta persona e kanë pasur të mbuluar fytyrën, çka e bën të vështirë identifikimin e tyre, pavarësisht se autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë. Dyshohet se vrasja lidhet me prishjen e pazareve të drogës.

Kush ishte Selavdi Shehaj?

Për drejtësinë italiane, 38-vjeçari është emër i dëgjuar. Ai liruar dy muaj nga arresti shtëpiak pasi ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg për drogë. Disa vite më parë, Shehajt autoritetet i kishin gjetur 5 kilogramë lëndë narkotike.

Zona ku ka ndodhur ngjarja është në qendër të vëmendjes së autoriteteve prej aktivitetit të lartë që ka mafia. Mediat italiane shkruajnë se ka mundësi që vrasja e shqiptarit të ketë lidhje me vrasjen e Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diaboliku” dhe që ishte drejtuesi i tifozerisë së Lazio-s. Ai u vra një vit më parë.

Mënyra e vrasjes së shqiptarit është e njëjtë me atë të Piscitellit. Për hetimin e vrasjes së “Diabolikut”, autoritetet kanë gjetur lidhje mes tij dhe grupeve kriminale nga Europa lindore.