Këto janë pasojat e shkëmbimit të zjarrit mes forcave speciale “RENEA” dhe 71-vjeçarit Lefter Zhidru në Elbasan.
Kjo mburojë metalike e forcave speciale është bërë “shoshë” nga plumbat e kallashnikovit të 71-vjeçarit gjatë ndërhyrjes së RENEA-s brenda apartamentit ku qëndronte i ngujuar Lefter Zhidru.
Ndërhyrja brenda banesës u bë rreth orës 18:00, kur RENEA shpërtheu me eksploziv derën e apartamentit dhe hodhi tymuese dhe gaz lotsjellës drejt Lefter Zhidrut. Ky i fundit nuk u dorëzua dhe qëlloi sërish me armë efektivët e forcave speciale.
Ndërhyrja u bë nga ana e efektivit të RENEA-s që mbante këtë mburojë metalike, që siç duket nga kjo foto, ka marrë 8 plumba.
Më pas, ndërhynë forcat e tjera duke bërë të mundur eliminimin fizik të 71-vjeçarit. Për fat të mirë, asnjë punonjës policie nuk u lëndua nga të shtënat me armë zjarri.
Lefter Zhidru ka pasur sasi të madhe municioni luftarak. Gjithashtu, 71-vjeçari ka qenë i pajisur edhe me lëndë shpërthyese. Brenda banesës së tij, policia gjeti disa kallëpe me tritol të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim. Në vendngjarje grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorit, vijon punën për mbledhjen dhe dokumentimin e të gjitha provave. Hetimet e mëvonshme pritet të hedhin dritë edhe mbi faktin se ku e ka siguruar municionin luftarak dhe kallëpet e tritolit 71-vjeçari Lefter Zhidru.