Projektet rajonale për përmirësimin e transportit dhe konektivitetit në Ballkanit Perëndimor kanë qenë në qendër të diskutimeve gjatë takimit që ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka pasur me Drejtorin e Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, pas përfundimit të takimit, ministrja Balluku dhe drejtori Zakonjsek bënë të ditur se në takim është folur për korridoret rrugore dhe ato hekurudhore, për përmirësimin e sigurisë rrugore si dhe për rëndësinë e porteve dhe zhvillimin e mëtejshëm të transportit detar.
“Kemi diskutuar gjatë me drejtorin, përsa i përket planeve që Sekretariati i Komuniteti te Transportit ka për të ardhmen dhe që janë plane të ngjashme me ato që Republika e Shqipërisë dhe Qeveria Rama kanë, siç është rasti i shtimit të rrjeteve tona të transportit duke nisur nga ato hekurudhore, të cilat janë një prioritet për ne. Sapo kemi mbyllur një proces shumë të gjatë, përsa i përket hekurudhës Tiranë-Durrës, por gjithashtu kemi folur edhe rreth planeve për hekurudhat e së ardhmes, ato që do të na lidhin me vendet fqinje. Kemi folur për rëndësinë e Porteve, të cilat janë prioritet i Qeverisë Rama, por gjithashtu dhe i Bashkimit Europian, e në veçanti për Portin e Durrësit, si një nga pikat e konektivitetit për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerësoi rolin e Komunitetit të Transportit, sa i takon inkurajimit për ndërtimin e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal mes vendeve si dhe kontributin që Sekretariati I Komunitetit te Transportit dha gjatë muajve të parë të pandemisë COVID-19 duke lehtësuar qarkullimin e mallrave nepermjet nismes per Korridoret Jeshile per mallrat esenciale
Nga ana e tij Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, z.Matej Zakonjsek u shpreh se vizita e tij në Shqipëri vjen disa javë përpara se Bashkimi Europian të shpalosë planin ekonomik dhe të investimeve për Ballkanin Perëndimor, ku transporti dhe konektiviteti do të luajnë një rol kyç për sa i përket arritjes së prosperitetit ekonomik.
“Transporti dhe konektiviteti janë parakushtet për zhvillimin ekonomik dhe ne duhet të bëjmë më të mirën e mundshme që t’a zhfrytëzojme këtë moment politik, në mënyrë që të avancojmë jo vetëm axhendën për sa i përket transportit, por edhe përmirësimin e jetës së qytetarëve’, deklaroi Zakonjsek.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit u ndal në mënyrë të veçantë në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në pikat kufitare ne rajon
“Diskutuam për lehtësimin e transportit, specifikisht për mënyrën se si i kalojmë kufijtë tanë. Qytetarët dhe bizneset shpenzojnë shumë kohë në pikat kufitare në Ballkanin Perëndimor dhe në shtetet e Bashkimit Europian. Për këtë arsye u angazhuam që të vazhdojmë me konceptin e korridoreve të gjelbra, të vazhdojmë përpjekjet për të minimizuar kohën e pritjes dhe duhet të punojmë për lehtësuar kalimin e kufijve, si për qytetarët ashtu dhe për bizneset”, deklaroi drejtori Zakonjsek.