Ekspertët sizmologë thonë se frika e qytetarëve nga lëkundjet që kanë goditur vendin në 48 orët e fundit, po shtohet nga aplikacionet që sinjalizojnë në kohë reale për tërmetet.
Llambro Duni, i pyetur nga Top Channel nëse këto lëkundje kanë lidhje me tërmetin e tmerrshëm të 26 nëntorit të vitit të kaluar, u shpreh që jo.
“Aktiviteti i fundit që ka shkaktuar shqetësim është ngjarja sizmike e mëngjesit të djeshëm me madhësi 4 .5 me epiqendër në Cërrik. Pas kësaj ngjarje ka pasur dy të tjera me madhësi më të vogël po aty në Cërrik e më andej aktiviteti është spostuar në qytetin e Belshit. Kemi pasur një tërmet të madhësisë 3, gjatë ditës kemi pasur disa lëkundje më të vogla dhe përsëri në orën 9 e 21 të mbrëmjes kemi pasur një tërmet tjetër të madhësisë 4.2”, tha ai.
Frikërat tona duhet të jenë të justifikuara nga shtatori e nëntori?
“Këto nuk kanë lidhje me aktivitetin e 26 nëntorit. Bëhet fjalë për një aktivitet që po zhvillohet në një zonë tjetër tektonike, bëhet fjalë për të famshmen tërthorja Lushnjë Elbasan Dibër që historikisht ka gjeneruar tërmete të fuqishëm.
Por, ne jemi vend sizmik e aktiviteti ka pasur trende të tilla në të shkuarën. Fakti që kemi një aktivitet të shtuar në këtë periudhë nuk është se përbën ndonjë risi.
Ato ndihen në zonën ku kanë epiqendrën, këto të fundit s’kanë pasur efekte”, u shpreh sizmologu.