Grupe të fshehta politike të mbështetura mirë financiarisht, janë bërë pjesë e betejës së ashpër për plotësimin e vendit bosh në Gjykatën e Lartë të krijuar pas vdekjes së gjyqtares Ruth Bader Ginsburg.
Të njohura si grupe “parash të dyshimta”, sepse ligji nuk i detyron të bëjnë të ditur emrat e donatorëve të tyre, këto organizata me ndikim, po shpenzojnë miliona dollarë në fushata reklamash për të ndikuar në perceptimet e votuesve për atë që pritet të jetë një nga seancat më të diskutueshmet në historinë moderne amerikane të konfirmimeve në Senat.
Vetëm disa orë pas vdekjes të premten e kaluar nga kanceri e ikonës liberale Ruth Bader Ginsburg në moshën 87 vjeçare, Demand Justice (Kërko Drejtësi), një grup progresiv që mbështetet në para me origjinë të dyshimtë, i lidhur me Partinë Demokrate, njoftoi se do të shpenzonte 10 milionë dollarë për të sfiduar presionin e Presidentit Donald Trump për të zëvendësuar sa më shpejt zonjën Ginsburg me një juriste konservatore.
Homologu konservator i këtij grupimi, Rrjeti i Krizave në Sistemin Gjyqësor, u përgjigj me shpejtësi duke nisur një fushatë reklamash me vlerë 2.2 milionë për të mbështetur Presidentin Trump, me qëllimin për të shpenzuar të njëjtën sasi parash apo më shumë sesa ato të shpenzuara nga organizata Demand Justice (Kërko drejtësi!).
Rrjeti i Krizave në Sistemin Gjyqësor ishte zotuar më herët të shpenzonte 20 milionë dollarë për të ndihmuar konfirmimin e dy anëtarëve të parë për Gjykatën e Lartë të emëruar nga zoti Trump, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme, një organizatë që mbikëqyr financimet nga subjektet politike.
Përfaqësuesit e Rrjetit të Krizave në Sistemin Gjyqësor dhe organizatës Kërko Drejtësi konfirmuan për Zërin e Amerikës planet e tyre për shpenzime të tjera.
Presidenti Trump ka bërë të ditur se të shtunën do të njoftojë kandidaturën e tij si pasuese të zonjës Ginsburg, nga një listë prej 5 juristesh konservatore në shqyrtim. Mes tyre janë shquar si pretendente kryesore Amy Coney Barrett, anëtare e gjykatës së Apelit në rrethin gjyqësor numër 7 dhe Barbara Lagoa, anëtare e gjykatës së Apelit për rrethin gjyqësor numër 11. Në fillim të kësaj jave, zoti Trump mori mbështetje të mjaftueshme nga republikanët në Senat për të konfirmuar kandidaturën që ai zgjedh, përpara garës presidenciale të 3 nëntorit.
Ndërsa organizata Kërko Drejtësi dhe grupet e tjera liberale nuk kanë asnjë mjet për të bllokuar konfirmimin nga Senati të përzgjedhjes së zotit Trump, ata mund t’i përdorin reklamat e tyre për të ndezur subjekte debati në fushatën kundër Presidentit Trump dhe kandidatëve të republikanë për në Kongres përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Një nga kritikat thelbësore të demokratëve dhe e grupeve liberale është se udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell refuzoi në 2016 të lejojë ish-Presidentin Barack Obama të plotësonte vendin bosh në Gjykatën e Lartë më shumë se tetë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, duke thënë se për këtë gjë duhet të vendosnin zgjedhësit.
Por zoti McConnell po i mbështet fuqishëm përpjekjen e presidentit Trump për të plotësuar vendin e zonjës Ginsburg kur kanë mbetur vetëm 40 ditë nga zgjedhjet presidenciale.
“Donald Trumpi ka rrëmbyer Gjykatën tonë të Lartë. E ardhmja e Gjykatës së Lartë është në rrezik”, thuhet në një reklamë të organizatës Kërko Drejtësi.
Ndërkohë në një reklamë të Rrjetit të Krizave në Sitemin Gjyqësor thuhet: “Tregoji Senatit se kur emërohet një kandidat i fortë, të ndjekë precedentin e të konfirmojë gjykatësin”.
Ndërsa paratë me origjinë të dyshimta të shpenzuara nga Rrjeti i Krizave në Sistemin Gjyqësor dhe organizata Kërko Drejtësi përfaqësojnë një pjesë të vogël të miliarda dollarëve të shpenzuara në çdo cikël zgjedhor, përdorimi i tyre është përhapur nga një vendim i rëndësishëm i Gjykatës së Lartë i vitit 2010. Rrjeti i Krizave në Sistemin Gjyqësor dhe organizata Kërko Drejtësi nuk janë të vetmit që po shpenzojnë para lidhur me çështjen e emërimit në Gjykatën e Lartë.
Në të gjithë spektrin politik, grupime të tjera, duke filluar nga organizata konservatore, Article III Project (Projekti Neni Tre) tek organizata liberale Fix our Senat (Të rregullojmë Senati tonë), kanë paguar reklama për të ndikuar në procesin e konfirmimit, thotë Anna Massoglia, një studiuese e Qendrës për Politika të Përgjegjshme, organizatë që mbikëqyr financimet e përdorura gjatë fushatës.
Paratë me origjinë të dyshimtë i referohen shpenzimeve politike nga organizatat jofitimprurëse dhe korporata të regjistruara në parajsa fiskale, që ndryshe nga komitetet e veprimit politik dhe kandidatët, nuk u kërkohet që të bëjnë të ditur emrat e dhuruesve të tyre.
Ithtarët e shpenzimeve të tilla anonime, thonë se publikimi mund të mbysë fjalën e lirë dhe t’i bëjë donatorët objekt sulmesh.
Por kritikët thonë se kjo u mundëson grupeve të posaçme të interesit dhe individëve të pasur të ushtrojnë ndikim të padrejtë në zgjedhje pa zbuluar përfshirjen e tyre.
Në një raport të fundit të organizatës Issue One (Çështja kryesore), një grupim jopartiak, jofitimprurës që kërkon të zvogëlojë rolin e parave në politikë, paralajmërohej se kompanitë e regjistruara në parajsa fiskale jashtë kontrollit, mund të shërbejnë si një kanal i përshtatshëm për kontribute të huaja e të paligjshme në zgjedhjet amerikane.
Në vitet e fundit, Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar disa persona për kanalizimin e miliona dollarëve nga subjekte të huaja në zgjedhjet e amerikane.
Vendimi i Gjykatës së Lartë i vitit 2010, i njohur si Citizens United dhe kundërshtuar nga zonja Ginsburg dhe tre gjyqtarë të tjerë liberalë, i hoqi kufizimet ndaj korporatave dhe sindikatat të punës në shpenzimet politike, duke krijuar grupe që financohen nga para me origjinë të dyshimtë dhe të ashtuquajturat super PAC, një komitet i pavarur i veprimit politik që mbledh shuma të pakufizuara parash dhe i dhuron ato si fonde për fushata pro ose kundër kandidatëve, si dhe për iniciativa ligjore.
Në vitet e para pas miratimit të Citizens United, paratë e dyshimta ishin një “problem republikan”, që do të thotë se ishin republikanët ata që përdornin më shumë këto lloj fondesh, thotë Zach Wamp, ish-ligjvënës republikan nga Tenesi.
Megjithatë në dy ciklet e fundit zgjedhore, grupet liberale të financuara nga para të dyshimta i kanë tejkaluar homologët e tyre konservatorë për sa i takon shpenzimeve dhe demokratët kanë përdorur disa nga të njëjtat taktika të cilat ata i denonconin dikur si të korruptuara.
“Ka të bëjë me pushtetin”, thotë zoti Wamp në një intervistë. “Ka të bëjë me atë se kush vjen e kush ikën (nga pushteti)”, thotë ai.
Si një kritik i ashpër i parave me origjinë të dyshimtë, zoti Wamp bashkëkryeson projektin “ReFormers Caucus” të organizatës Issue One.
Sipas Qendrës për Politikë të Përgjegjshme, grupet e financuara nga paratë e dyshimta po shkojnë drejt një niveli prej 1 miliard dollarësh shpenzime direkte të raportuara në Komisionin Federal të Zgjedhjeve (FEC) që nga miratimi i Citizens United.
Zonja Massoglia e Qendrës për Politikë të Përgjegjshme, vë në dukje se gjatë kësaj periudhe kohore (që nga 2010) grupet që nuk i tregojnë burimet e parave kanë grumbulluar me miliarda dollarë për llogari të komiteteve të pavarura të veprimit politik (super PAC) dhe për të reklamuar çështje të caktuara me qëllimin për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.
“Po shohim realisht me miliona dollarë që derdhen çdo ditë”, thotë zonja Massoglia./VOA